Ditët e fundit në Tiranë është komentuar vizita e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në 9 dhjetor në Tiranë, si një udhëtim për të mbështetur Bashën dhe goditur Berishën, duke ndërhyrë brenda betejës së PD-së.
Ambasada Amerikane në Tiranë shkruan se Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.
Ai do të takojë kryeministrin Rama, Xhaçkën si dhe kryetarin e PD-së. Por ambasada ka nënvizuar në fund të shkrimit se Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Njoftimi i ambasadës:
“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Ambasada Amerikane.
Diskutime rreth kësaj post