Zvicra ka fundosur pushtetarët shqiptarë që kanë fshehur paratë e korrupsionit në bankat e saj. Në të gjithë botën, ky shtet njihet për mbajtjen sekret të llogarive bankare dhe është përdorur nga personalitetet nga e gjithë bota për të depozituar aty miliona e miliona euro. Në listën e pushtetarëve që kanë fshehur pasurinë e tyre në Zvicër ka edhe shumë politikanë shqiptarë, të cilët duke përfituar nga fakti i ruajtjes së anonimatit, kanë depozituar aty paratë e tyre të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Parlamenti zviceran aprovoi ditën e djeshme aprovoi ditën e djeshme shkëmbimin automatik të të dhënave bankare me vende, përfshirë Shqipërinë, duke nisur nga vitit 2021. Me propozim të Dhomës së Përfaqësuesve, Senati zviceran miratoi vendimin për shkëmbimin e informacioneve financiare bankare me 18 vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Autoritetet shqiptare prej vitit 2021 do të mund të marrin informacione bankare për qytetarët shqiptarë në Zvicër, dhe e anasjella, pra Zvicra do të jetë në gjendje që të marrë informacione bankare për qytetarët e saj që kanë llogari në një ose disa banka që operojnë në vendin tonë. Informacionet e siguruara nga autoritetet shqiptare mendohet se do të ndihmojnë në hetimet për korrupsion në nivelet më të larta të administratës dhe politikës.
Llogaritë e fshehura në Zvicër
Zvicra është parajsa e fshehjes së pasurisë së pushtetarëve. Deri më tani, ky shtet merr të dhëna financiare nga 75 vende të botës dhe u jep të dhënat bankare 63 prej tyre. Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se ata kanë dhënë detaje për rreth 3.1 milionë llogari bankare të të huajve për autoritetet e vendeve të tyre të origjinës si dhe ka marrë informacione për rreth 2.4 milionë llogari të mbajtura nga qytetarët zviceranë në 75 vende të botës. Zvicra është një prej vendeve që konsiderohen si parajsa për të fshehur vlerat monetare, kryesisht ato që janë burim i aktiviteteve të paligjshme për zyrtarët e lartë e politikanët e korruptuar, si dhe krimin e organizuar. Përveç Shqipërisë, vendet që u përfshinë në listën e re janë Pakistani, Azerbajxhani, Brunei, Rep. Domenikane, Gana, Kazakistani, Libani, Makao, Maldivet, Nigeria, Niue, Omani, Peruja, Samoa, Saint Martin, Trinidad e Tobago dhe Vanuatu.
Indeksi i pastrimit të parave
Sipas raporteve ndërkombëtare, pjesa më e madhe e parave të korrupsionit kanë shkuar në Maltë dhe Zvicër. Kjo pasi para vitit 2013 pjesa më e madhe e parave shkonin në bankat e Qipros. Por në 2013 ishulli u përfshi nga kriza e rëndë financiare, që solli bllokimin e bankave. Kriza trembi shumë zyrtarë, jo vetëm shqiptarë, por dhe të tjerë që tentuan të tërheqin milionat, por e patën të pamundur t’i marrin të gjitha. Një vendim i Bashkimit Evropian për të mos siguruar depozitat në bankat e Qipros, tronditi në atë kohë zyrtarët shqiptarë, të cilët kishin fshehur paratë e korrupsionit në ato banka. Ministrat e Financave të Eurozonës deklaruan në atë kohë se nuk mund të garantonin asnjë depozitë mbi 100 mijë euro në Qipro. Në atë kohë u raportua se pati tentativa për të tërhequr paratë, ku një pjesë u morën, ndërsa një pjesë tjetër u humb në ato banka. Për këtë arsye shumë para kanë shkuar në bankat e Zvicrës.
Diskutime rreth kësaj post