Kryeministri në ikje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka dorëzuar detyrën dhe ka uruar kryetarin e sapo zgjedhur Dimitar Kovaçevski për fitoren në zgjedhjet brendapartiake. Zaev tha para selisë së partisë se gjëja e parë që do t’i thotë liderit të ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevskit është ruajtja e vlerave të partisë.
‘Kryetar, të uroj fat, mençurinë e ke, ta mbrosh këtë parti të madhe dhe shtetformuese, të kujdesesh për socialdemokracinë, të kujdesesh për unitetin dhe ruajtjen e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe në parti. Ju uroj një mandat të suksesshëm si kryetar i LSDM-së, zgjedh një udhëheqje të urtë që të gjithë do ta ndjekim. LSDM është shtyllë e shtetësisë’, i tha Zaev kryetarit të ri Dimitar Kovaçevski.
“Amaneti im është që të fitoj në zgjedhjet e ardhshme, që LSDM-ja dhe vlerat e saj të zbatohen edhe më shumë”, tha Zaev.
Dorëheqja e Zoran Zaev nga funksioni i kryetarit të LSDM-së erdhi si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve lokale. Zoran Zaev beson se një ndër sukseset që e presin si kryeministër Dimitar Kovaçevskin është marrja e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Zaev deklaroi se në bisedimet e deritanishme me kryeministrin e ri të Bullgarisë, është theksuar se brenda 6 muajve duhet të përmbyllet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes.
“Atë çfarë kemi biseduar me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov është se kjo duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 muaj. Jemi pajtuar se duhet të formojmë edhe grupe punuese për energjetikë, infrastrukturë, ekonomi, kulturë, shëndetësi, dhe gjithçka çka është me rëndësi që të mund të krijojmë ambient, që të tejkalohen këto çështje”, tha mes tjerash Zaev.
Diskutime rreth kësaj post