Nga Mentor Kikia
Prokurori Artan Lulja është vënë në shënjestër të sharjeve dhe akuzave publike këto ditë. Ai kishte nën hetim çështjen e vrasjes së një të riu, Marvi Mihali.
Tre nga bashkëpunëtorët në vrasjen, që tronditi Tiranën një vit më parë, ai i liroi, pasi ndryshoi akuzën nga “bashkëpunim në vrasje” në “moskallzim krimi”.
Por familja e djalit të vrarë ngriti zërin. Media ngriti zërin. Njerëzia bërtiti nëpër rrjetet sociale. Drejtuesi i prokurorisë ia hoqi çështjen këtij, dhe ia kaloi një tjetër prokurori.
Ai e ndryshoi sërish akuzën dhe gjykata e ndryshoi sërish vendimin, duke i kthyer të tre bashkëpunëtorët në burg.
Pa marrë përsipër të bëjmë gjykatësin e prokurorit, jemi përballë faktit se një prokuror i liroi ata nga akuzat e një i vuri sërish nën akuzë. Kush ka të drejtë?
Njerëzit kanë të drejtë të jenë të revoltuar nga ajo që ndodhi. Një video e kamerave të sigurisë, e bërë publike, tregon se të rinjtë e arrestuar kanë qenë pjesë aktive e grupit që kreu krimin.
Padyshim që thikën vetëm njëri e përdori, por të tjerët ishin pjesë e sulmit.
A ishin ata vetëm “moskallëzues”? Moskallëzues do të thotë të kesh dijeni për një krim e të mos denoncosh. Ata nuk u ndodhën rastësisht në skenën e krimit. Ata ishin nisur të gjithë bashkë për të sulmuar viktimën.
Sërish unë mendoj se nuk duhet të bëjmë gjykatësin e prokurorit, pavarësisht interpretimit të ngjarjes. Por ajo që duhet bërë me urgjencë është sqarimi i pozicionit të këtij prokurori.
Nëse ai qëllimisht ka ndryshuar akuzën, ai nuk mund të qëndrojë më aty, asnjë ditë.
Më e pakta duhet të pezullohet. Nëse ai ka të drejtë, atëherë përse u mor vendimi i kundër nga kolegu i tij?
Ndaj kryeprokurorja Marku, duhet të ndërhyjë sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën.
Nuk duhet të presim nvetëm Vettingun!
Diskutime rreth kësaj post