Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e rrobave të përdorura pasditen e sotme rreth orës 18:55 në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.
Zjarri nisi fillimisht brenda tregut, duke u përhapur në banesat që ndodheshin pranë duke djegur 5 prej tyre. 25 njësi tregtare u përfshinë nga zjarri, ku rrobat e përdorura ndihmuan në përhapjen e flakëve.
Nga përfshirja e 5 banesave nga zjarri, fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Tregu në momentin që ra zjarri ishte mbyllur dhe kështu është shmangur tragjedia.
Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren janë 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës, ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
1 helikopter i ushtrisë ndodhet në vendngjarje për të shuar vatrën e zjarrit, pasi pjesa më e madhe e flakëve është neutralizuar.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka folur për gazetarët, duke njoftuar se situata me zjarrin e madh që përfshiu tregun e rrobave të përdorura, tashmë është vënë nën kontroll.
“Është stabilizuar situata. Ka një orë e gjysmë që është një luftë e vërtetë. Tani mendoj se nuk ka më ndonjë rrezik. E gjithë situata ka qenë shumë e rëndë. Lajmi mirë që s’kemi pasur dëm në njerëz dhe që se zjarri tani është nën kontroll”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post