Nga Mentor Kikia
Një valë hetimesh, sekuestrimesh e arrestimesh, që ka ndërmarrë prokuroria(më në fund) po zbulon se deri ku kishte shkur babëzia dhe pangopshmëria e njeriut. 220 hektarë livadhe, gurë e shkurre në Karaburun, atje ku s’ka patur kurrë pronarë, një gjykatës, një noter e një avokat i kishin bërë letra false një biznesmeno-politikani dhe ia kishin bërë tokën e babës. Më herë ishin seksuestruar nja 100 hektare në Borsh, nja 30 hektarë në Himarë….
Këtë pranverë unë kam udhëtuar përgjatë zonës bregdetare, për llogari të aktiviteteve me Vullnetarët e Mjedisit për pastrimin e plazheve. Dhe një problem që kemi hasur me pastrimin e parqeve është se pyjet e bregdetit janë rrethuar me gardhe me tela me gjemba. U kanë dalë të gjithëve pronarët. Nga Velipoja në Vlorë. Në Gjirin e Lalëzit nuk ka më pyll, e batërdisën e bënë qytet. Në Spille janë vënë shiritat. Banorët dhe pushteti vendor e dinë se kush e ka marrë. Në Gosë po ashtu. Së fundmi i kishte dalë pronari edhe pyllit të madh të pishave në Zvërnec të Vlorës.
Janë të gjithë emra të fortësh qyteti dhe politikanësh. Edhe një ish presidenti- thonë banorët e zonës- i ka dalë pronë nja 80 hektarë pyje pishash në bregdet, edhe pse fshatar Tirane den baba den.
Por i gjithë bregdeti ka qenë shkretë, rënë e mocal, e kanë mbjellë të rinjtë me punë vullnetare 70 vjet me parë. Ku i gjetën pronat këta bastardë, që s’janë asnjëri banor zone?
Diskutime rreth kësaj post