Nga Anri Bala
Më zhgënjyet zoti Lu, sepse ishe i vetmi ti, e kur them ti, them Amerika, që akoma nuk kishit zënë vend, në skedën time prej skeptiku të përhershëm dhe të pandreqshëm, tek grupi i të “pabesueshmëve”. Humba rastin, për të besuar diku, kur i’u dëgjova në komunikimin live, me qytetarët shqiptarë. Po të them të drejtën… nuk i’u kuptova. Mu duk, sikur folët me gjuhën e lashtë kineze. Gjithçka që thatë, mua skeptikut të gjorë, mu duk e pazbërthyeshme, ose nuk thatë asgjë, ose thatë ato gjëra që i kisha dëgjuar unë dhe çdo shqiptarë, tre herë para buke dhe tre herë pas buke, nga kryetari pa krye dhe pa bythë i opozitës.
Të them të drejtën, ju e ulët fare pjacën e kuvendimit. Në vend që të na sqaronit, të na gëzonit, duke na dhënë pak shpresë, ju gjetët kohën të na gënjenit. Si padashje e ndoshta pak me qëllim, deklaruat se ligji i dekriminalizimit, i propozuar nga kriminela të pagjykuar, paska bërë namin, duke e pastruar politikën shqiptare nga krimi.
Vërtetë e besoni atë që thatë, apo i’u shkau goja?! Ata që e kanë bërë dhe propozuar, e kanë stisur aq bukur, sa as fijet e flokët nuk i’u a prek ky ligj paligj. Nuk të vë faj, se i njoh mirë dhe e di sa të zotët janë këta magjistarë të poshtër, sa edhe ty dhe kur them ty, Amerikës, i’u kanë krijuar iluzion optik në perceptimin e gjërave.
Ti më në fund, pas shfaqjeve të vazhdueshme të kriminelave, që duan drejtësi për të “ndershmit”, more më në fund guximin “burrërisht”, të na thuash me zë e figurë, se kush ishin “kriminelët” më të rrezikshëm, ata që kanë bërë gjëmën në këtë vend.
Krimineli i parë, e më i rrezikshmi, na qënkërka kryetari i bashkisë i një qyteti të vogël, që për mbijetesë dhe i mitur, në Europën e ëndrrave, kishte ndërruar disa herë emrin. Ju zoti Lu, harruat një fakt, se ishte drejtësia ajo që e sajoi këtë kriminel, drejtësia që ju thoni se “do vijë”, që u hodh degë më degë, për t’u bërë qejfin tutorëve dhe në fund një tym pa zjarr dhe “krimineli” i krijuar nga ata, është aty ku e votuan… Kryetar.
Ju zoti Lu, harroni një detaj specifik, se ai, kryetari i qytetit të vogël, nuk vjen nga listat e mbyllura të palaço partive shqiptare, por është zgjedhur me vota të qytetarëve të qytetit të tij. Ata e njohin shumë më mirë se ti dhe kriminelat e pagjykuar e të padënuar të “palo partive”.
Ju zoti Lu, nuk e di, në e dini, apo nuk e dini, se këtu ka një kushtetutë paçavure, si letër e zhubrosur ku ata që duhet ta njohin, interpretojnë dhe zbatojnë, fshijnë duart me të, për të pastruar ligësit e tyre. Ndaj, tallen dhe luajnë, megjithëse e dinë shumë mirë, se kjo zhubër në faqet e saj ka një nen ku shkruhet se “e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjidhur është një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari të këtij vendi”. Këtë të drejtë, nuk ka vendim partie a iniciativ horrash, që për të mbrojtur prapanicën e tyre, sajojnë e trillojnë gjithfarë ligjesh antikushtetuese, që nuk ekzistojnë as në vende që qytetërimi sapo ka mbërritur, ta tjetërsoi.
Ju zoti Lu, bëtë kriminel dhe një deputet, që nuk e kemi dëgjuar kurrë të ketë bërë ndonjë krim, përveçse në të drejtën e tij kushtetuese, ka punuar duke bërë biznes, si çdo qytetar që e ka këtë të drejtë në Shqipëri. Kur ky qënka një “kriminel i pastruar”, sipas teje dhe Amerikës, përse nuk na the se çfarë janë banda e atyre që kanë vila, saraje, pela, mushka, dashnore dhe dashnor, hotele, motele, bordello dhe prostituta, milona dhe miliarda, pa bërë asnjë biznes, vetëm punën e lojtarëve e bythëlëpirësve të dallaverexhive politik.
Nuk i njoh dhe as nuk më interesojnë këto dy politikanë, por thjesht nuk munda të rri pa folur nga zhgënjimi që më krijuat. Ne, i nderuar Lu, duam që të na ndihmoni të shpëtojmë nga kriminelët e vërtetë njëherë e përgjithmonë dhe jo të na tregoni luftën me mullinjtë e erës mes “kriminelave zotëri” me kriminelat e rëndomtë… pa krime. Ne duam drejtësi, për ata kriminelë, që e kanë zhytur këtë vend në batak dhe ju i takoni e i respektoni, sikur të ishin shpëtimtarë, duke e ditur, ashtu si ne, që janë zagarë.
Të gjithë emrat që përmendët ju, janë më të ndershmit dhe më të moralshmit në krahasim me ata që janë kryetarët e tyre, sepse kryetari është kryetar, sepse është zoti.
Unë prisja të dëgjoja nga ti, një fjalë të mirë shprese dhe ndonjë të vërtetë amerikançe, por ti as që e more mundimin, dhe largë qoftë, mos paça të drejtë, mu duk sikur u bëre palë me gjykatat e padrejtësisë. Vendimet, për këto që përmenda dhe për disa të tjerë, që nuk i përmenda, këto gjykata i japin dhe i kanë dhënë. Ti, ndoshta pa dashje, u bëre palë. Janë ato gjykata z. Lu, që të gjuajtën me shpullë surratit ty, Amerikës, Europës, duke bërë atë që deshën, e duke të përqeshur nga pas, ashtu siç bënte kryeteri pa krye i opozitës sa herë largoheshe nga zyra e tij. Para aparatit ngren dy gishta, pas shpine i del vetëm një…!
Për ty, këto gjykata janë të poshtra… kriminale… të padrejta… dhe duhen shkatërruar… apo nuk thatë kështu!? Sa mirë mendoni, ama kur janë kundra jush, ndaj nuk po të besoj dot më. Nuk that asnjë fjalë, për gjykatësit, gjyqtarët, prokurorët, sekserët dhe tutorët e tyre, por u mjaftove të na bëje qejfin se drejtësia “po vjen”.
Nuk thatë asgjë hapur, açik, ashtu sikurse flitet me popullin. Nuk guxuat apo nuk deshët të na thoshit, nëse opozita është palë anti drejtësi dhe anti shtet?! Nuk deshët, apo nuk munde të na thoshit në se keni informacion, se kush janë kriminelët e vërtetë në politikën dhe drejtësinë shqiptare?!
Do të na gëzoje dhe do ishe më i besueshëm, po të na thoshe nëse është i inkriminuar Sali Berisha?! Nëse Edi Rama ka “200 milion dollar” në Amerikë?! Nëse Meta është i “ndershmi” i këtij vendi dhe udhëheqës progresist apo regresist?! Po Luli që akuzohet për disa vepra penale a është i pastër, për ju dhe Amerikën?! Këto do të na i thoni besoj, por kur të largoheni nga Shqipëria! Atëherë më mirë mos na i thuaj fare, se nuk të dëgjon më njeri… nuk je më Amerika!
Mua, as që më bie ndërmend, se DEA juaj do asgjësoi ca hashash më shumë, por mua dhe të gjithë ata që janë popull si unë, kemi një brengë, e duhet ta themi se po plasim: A ka ndonjë Dea tjetër, që të zbuloi milionat dhe arin e rrjepacakëve, që u bënë zengjin vetëm se mjaullitën dhe broçkullitën nëpë tribuna mashtrimesh?!
A ka ndonjë Dea, që t’i u marr grabitësve dhe bijëve të tyre pasuritë tona, të vjedhur familjarisht në bandë, që t’u ndaloi talljet e fyrjet e tyre, nga vënde ekzotike, që ne vetëm në ëndërr i kemi parë?! Këtë nuk na e the, megjithëse ne të gjithë pyesnim dhe prisnim me gojë hapur, të na e thoshe një gjë të tillë, por po të duash, na e thuaj. Nëse hesht, atëherë kam të drejtë të mos besoj. Kam të drejtë të dyshoj se asnjë reformë nuk bëni ju zoti Lu. Po e shoh i nderuar, çdo ditë, se sa më shumë kohë të kaloj mes dallgëve varka e drejtësisë, aq më e paktë është mundësia, se do t’i a dalë. Nuk e di a e patë atë që i ndodhi dje, sepse unë e pashë. Ligji që ju e duartrokitët si sukses dhe ishte i çertifikuar, besoj se dje i’u ktheu me këmbë në tokë, me shuplakën që i’u dha! Banda e padrejtësisë i’u a tha troç: Ne nuk pyesim për askënd, jemi zot në çifligjet tona!
Më habiti qetësia juaj! Si nuk folët një fjalë, për grushtin e shtetit të bërë nga një i marrë, që në këtë vend quhet president dhe nga një ministër i drejtësisë në hije, që i urdhëruar nga tutori i tij, mblodhi një institucion që nuk ekziston dhe bënë qoka, si në lojën e ka kush e ka. As ndryshimi i Kushtetutës, as vendimi i parlamentit, asgjë nuk funksionon në këtë vend, sepse askush nuk ka frikë, për një gjë që nuk ekziston: “Ligji dhe shteti me shtetar”. Tani me shumë lodhje, mundim dhe stërmundim dhe me dhimbje të them: Na zhgënjyet zoti Lu! Reformën ta harroni dhe drejtësinë ta gëzoni… në vendin tuaj!
Kriminelët e drejtësisë dhe tutorët e tyre, që i kanë vendosur në rrugën me llampa të kuqe të (pa)drejtësisë, ju peshuan sa vleni ju dhe Amerika. Tani ata vallzojnë si t’i u doj qejfi, sepse reforma për ta ishte një tallava, që i vdiq këngëtari dhe teksti i saj përfundoi nëpër kosha plehërash dhe sirtare, të gjithfarë “mentari juridik”, vetëm për ta vonuar, deri në infinit. Nuk i’u besoj më zoti Lu, sepse nuk jam optimist si avokati. E di që keni dëshirë, por jeni i pafuqishëm, përballë lukunisë së madhe të ujqërve dhe çakenjëve të nginjur, e që askush s’mund t’i shpërndaj. Ndaj, na bie ta mendojmë dhe njëherë mirë, se si do e zgjidhim hallin tonë. I zoti e nxjerr gomarin nga balta! Mos ka ardhur koha për një revolucion të vërtetë… ama të vërtetë. Për këtë po mundët, na ktheni ndonjë përgjigje?! Nëse po, a e kemi bekimin e etalonit të demokracisë botërore, Amerikës? /Zathur.net/
Diskutime rreth kësaj post