Përmes një shkrimi në faqen e tij, Artur Zheji ka sqaruar artikullin e publikuar dje në lajme.al se ai ka shkruar fjalimet e Bashës në vitin 2011. Edhe pse Zhejit nuk i duket gjë e re, ky detaj e ndihmoi lexuesin që të kuptojë më tepër rreth qëndrimit të gazetarit për protestën dhe qeverinë. Pronari i portalit 360grade.al shkruan se mediat pro-qeveritare nuk do t’ia botojnë shkrimin e mëposhtëm. Lajme.al po e boton të plotë, si lajm kryesor dhe me citim sepse nuk e sheh veten në listimet që bën Artur Zheji.
Nga Artur Zheji
Në ethet e frikës që po shkakton rritja e figurës së Lulëzim Bashës në politikë,është rritur përpjestueshmërisht edhe sulmi ndaj tij në të gjitha pikat e mundshme.
Për të qetësuar shpirtrat e sëmurë nga frika ”Basha”, po u jap një thelë mediatike, atyre që merren akoma me vitin 2011, sikur bëjnë ndonjë zbulim. E pra, kam qenëkëshilltar i Lulëzim Bashës, në fushatën e vitit 2011, sepse isha i tmerruar, si edhe shumë shqiptarë që kishin sy dhe të paktën mbi 5 gr tru e sipër, nga projekti i frikshëm i kullave shumëkatëshe që paraqiti Rama asokohe. 7 apo 8 kulla gjigande te Liqeni artificial i Tiranës, dhe rreth 10 kulla të tjera në qendër tëTiranës, të cilat i konsideroja vdekje prurëse për kryeqytetin.
Kam qenë ideatori i Moratoriumit të ndërtimeve në Tiranë dhe për gëzimin tim, kjo ide u pëlqye dhe u përqafua nga Basha! Dhe Basha, Moratoriumin shpëtimtar të kryeqytetit, e mbajti 4 vite dhe pothuajse deri në fund të mandatit si kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Jam pra, krenar që kam dhënë një kontribut të vogël, në mosmbytjen e Tiranës nga helmet, që shkaktojnë mbipopullimi dhe ndërtimet përbindëshore të ideuara nga Rama i asaj periudhe. Kam formuluar teza ambientaliste dhe në mbrojtje të kopshteve, gjelbërimit dhe hapësirave njerëzore urbane. Sigurisht nuk e shpëtuam dot atë që mbetej pa shpëtuar nga Tirana, sepse sot, Rama dhe jo Veliaj, do të vendosë, si edhe ka vendosur, të ndërtojë “Kullat e tija të dashura”, të miqve të vet miliarderë, që do ta vrasin akoma edhe më shumë kryeqytetin. Njëkohësisht edhe familjarët e shkruesve të portaleve pro qeveritare, sepse e Keqja e një qyteti është e Keqja që nuk kursen askënd.
Meqë ata që bëjnë “zbulime” dhe e përdorin atë në mënyrën e tyre, po u zbuloj edhe ca sekrete të tjera: Kam këshilluar Ramën në vitin 2003, në konfliktet me ish kryeministrin Fatos Nano dhe sidomos në fushatën e vështirë të vitit 2007, për kryetar bashkie për herë të tretë në Tiranë. Sepse bëja pjesë ndër ata njerëz që nuk donin që të gjitha pushtetet, e pra edhe Bashkia e Tiranës, të binin në dorën e kryeministrit, në revansh të paparë të asaj kohe Sali Berisha. Rama na premtonte një kryeqytet të jetueshëm, por miliarderët e ndërtimeve ishin më të fortë se ai dhe kryetari fitimtar i vitit 2007, Edi Rama, i shkeli të gjitha marrëveshjet me shoqërinë civile.
Por sigurisht këtë nuk do ta botoni, në portalet e porositura nga qeveria. Fatmirësisht 360grade.al, lexohet çdo ditë e më shumë dhe kjo mundëson që ballafaqimi të jetë sa më afër të Vërtetës. Për të kënaqur kureshtjen e portaleve të qeverisë, deri në këtë moment që flasim, nuk kam asnjë ftesë nga stafi i liderit të Opozitës, për të qenë pjesë e ndonjë bordi këshillimi si strategjist politik.
Në rastin më të parë, që të vijë një kërkesë e tillë dhe nëse gjykoj se duhet pranuar, do t’ua bëj me dije. /360grade.al/
Artikulli i djeshëm: http://www.lajme.al/a-e-shkruajti-zheji-fjalimin-e-bashes-qe-bente-thirrje-per-dhune/
Diskutime rreth kësaj post