Në kulmin e debateve në Tiranë sa i takon vendimit të Greqisë për të zgjeruar kufirin detar me 12 milje, kryeministri Edi Rama sot do të niset për një vizitë dy ditore në Turqi.
Në njoftimin nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, thuhet se në takimet që do të zhvillohen në kuadër të vizitës më 6-7 janar, marrëdhëniet bilaterale midis Turqisë dhe Shqipërisë do të rishikohen në të gjitha dimensionet, si dhe do të trajtohen hapat që mund të merren për zhvillimin e bashkëpunimit.
Në takime gjithashtu do të shkëmbehen mendime mbi zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe marrëdhëniet dypalëshe. Takimi vjen në një kohë kur tensionet janë rritur mbi kufirin detar dhe kemi një ndarje mes Shqipërisë dhe Turqisë sa i takon zgjerimit të detit nga Athina me 12 milje. Kryeministri Rama e cilëson si të drejtë ndërkombëtare, por Turqia ka dalë kundër. Edhe mediat greke e turke deklarojnë se kjo lëvizje e Greqisë ka tensionuar raportet Rama-Erdogan. Nga ana tjetër Greqia dhe Shqipëria janë në rrugë të mbarë për shumë marrëveshje, çka e bën Ramën të gjendet mes dy rrugëve.
Këtë gjë e kanë vënë në dukje edhe mediat greke. Sipas tyre, zyrtarët nga Ministria e Jashtme turke kanë mbetur të befasuar kur kanë lexuar pozicionin e kryeministrit shqiptar Edi Rama pas vendimit të Athinës për zgjerimin territorial në Jon në 12 milje detare.
“Megjithëse një aleat dhe mik i Erdoganit, kryeministri shqiptar ka folur në favor të së drejtës së Greqisë për të zgjeruar zonën e saj bregdetare. A është kjo një taktikë e Ramës, i cili e sheh që Shqipëria nuk mund të presë ndihmë nga ekonomia turke dhe e konsideron integrimin në familjen europiane si rrugën e vetme, një perspektivë në të cilën ai nuk mund të ketë pritje pa ndihmën greke”, shkruan gazeta greke “Protothema”.
Ndër të tjera ato raportojnë se, Turqia ka lobuar deri më tani që Shqipëria të mos bëjë lëshime ndaj Greqisë. Edhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë, zgjerimi i Greqisë në detin Jon është po ashtu një provë për të parë nëse mund të zgjerohet edhe në Egje. Mes përplasjeve disa mujore me Turqinë, ku nuk kanë munguar as mjetet luftarake, Athina ka vendosur të ndajë të gjithë kufijtë detarë, duke ia bërë fakt të kryer Shqipërisë zgjerimin e sovranitetit të saj.
Diskutime rreth kësaj post