Pas shpalljes së kompanisë fituese për tenderin e zgjerimit të rrugës Elbasan Qafë Thanë nga Autoritetit Rrugor Shqiptar ku fitues ishte kompania Alb-Building me ofertën 2.1 miliardë lekë (18 milionë euro) pa TVSH, së fundmi është konfirmuar edhe emri i kompanisë mbikëqyrëse.
ARRSH njoftoi se INVICTUS është kompania fituese për kontratën e supervizionit ““Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë Thanë, (Faza 1)” me një vlerë 18.4 milionë lekë.
Aksi rrugor Elbasan – Qafë Thane është një nga rrugët më të rëndësishme në vend, pjese e korridorit VIII, që si itinerar ka Durrës – Elbasan – Librazhd – Qafë Thanë, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.
“Për vendin tonë, ky aks rrugor lidh zona me shumë rëndësi si portin e Durrësit dhe shtetit tonë me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë etj. Nga ana e MIE është kërkuar realizimi i një ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të lëvizjes së automjeteve në segmentin rrugor nga Dalja e Qytetit të Elbasanit deri në Qafë Thanë. Gjatësia totale e këtij aksi rrugor është 50.12 km. Gjithashtu, nga investitori është kërkuar që ndërtimi të ndahet në disa faza, duke e bërë më fleksibël realizimin e veprës, si nga ana manaxheriale ashtu dhe nga ana ekonomike”, thuhet në dokument.
Teksa gjatësia është 50 kilometra ndërhyrja e parë përfshihet një segment prej 5 kilometrash.
“Projekt fillon në dalje të Fshatit Labinot-Fushë në km 1+440 dhe përfundon në fshatin Mirakë, në km 6+500 dhe ka një gjatësi prej 5060ml. Në pjesën e fillimit, ky segment rrugor shtrihet mbi trasenë e rrugës ekzistuese (deri në km 2+690) pastaj gjurma e rrugës kalon komplet në buzë të lumit Shkumbin, në formën e një by-pass-i për zonën e fshatit Xibrakë, ku parashikohen edhe mbrojtje lumore dhe vepra të ndryshme hidroteknike. Kjo zgjidhje shmang edhe problematikën e madhe të kalimit nën Hekurudhë në km 3+020, në fillim të fshatit Xibrakë”, thuhet në dokument.
Parametrat e aksit kryesor janë të tillë: kategoria e rrugës: B , ndërurbane parësore, gjatësia e segmentit kryesor: 5060 ml, gjerësia e kurorës: 23.5 m dhe vija e kalimit: dy korsi për secilën anë me nga 2.75 metra. /Monitor
Diskutime rreth kësaj post