Tetë muaj pasi dorëzoi në Kuvend një platformë me propozimet e saj për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, Oerd Bylykbashi i kujton edhe një herë mazhorancës pikat kyçe, ku sipas saj duhet ndërhyrë deri në mes të shkurtit, kur puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore përfundon.
“Nëse Partia Socialiste kërkon që të bëjë lojën e drafteve, ne nuk do të bëjmë të njëjtën lojë, ne do të çojmë inciativa legjislativa që nuk merren me shkrepëset dhe çakmakët me logot e PS-së, por në mënyrë reale me zgjidhjen e problemeve që janë kriminelët në zgjedhje, financimi i paligjshëm, votimi i zgjedhësve në mënyrë të sigurtë, numërimi i votave sa më shpejtë, këto janë prolemet kryesore që ka Shqipëria”, deklaroi Bylykbashi.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarë, kur dekriminalizimi është një nga kërkesat kryesore të opozitës përpara zgjedhjeve të 18 qershorit, Bylykbashi u ndal tek kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi duke kërkuar shkarkimin e tij.
I pyetur nëse e njëjta rrugë duhet të ndiqet edhe për deputetin Dashamir Tahiri, Bylykbashi thotë se rastet e Selamit, Tahirit dhe Rroshit nuk janë të njëjta.
“Gjithesekujt atë që i takon. Nëse një patentë është e barazvlefshme me trafikun e qenieve njerëzore, këtë besoj asnjë shqiptar nuk e pranon. Sado të përpiqet Partia Socialiste ta barazojë me trafikun e qenieve njerëzor, nuk e bën dot, por t’ia lëmë këtë gjë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, vijoi Bylykbashi.
Diskutime rreth kësaj post