Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e caktoi 25 dhjetorin datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviçit në veriun e Kosovës, pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet vendase.
Shpallja e zgjedhjeve në këto komuna pasoi vendimin e fillimit të nëntorit të përfaqësuesve politik të serbëve për t’u dorëhequr nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave.
Tashmë presidentja Osmani e ka caktuar 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës.
Komisioni Qendror të Zgjedhjeve bëri të ditur të premtën se tashmë ka përfunduar periudha e kandidimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit për kryetarë në katër komuna e veriut.
Sipas KQZ-së për këto zgjedhje kanë kandiduar gjashtë subjekte politike: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia Kosovskih Srba (Partia e Serbëve të Kosovës), një kandidat i pavarur, Lëvizja Vetëvendosje dhe Iniciativa qytetare “Srpski Opstanak” (Mbijetesa Serbe).
Këto zgjedhje po bojkotohen nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në komunat me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të enjten gjatë një debati në parlamentin e Kosovës se integrimi i serbëve të larguar nga institucionet tashmë është çështje e ligjit.
“Unë ju kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione, mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni, por nuk ju kam thënë kthehuni. Nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Unë kam të drejtë politikisht të ju them mos shkoni por nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Shkuarja tyre është akt individual politik, kthimi i tyre, është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha ai.
Kosova dhe Serbia u pajtuan të mërkurën në Bruksel për çështjen e përdorimit të targave të makinave në veriun e Kosovës. Pajtimi u mirëprit nga diplomacia perëndimore si një hap u rëndësishëm për shmangien e tensioneve.
Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, tha të premten gjatë një vizite në Prishtinë se marrëveshja ndihmon jo vetëm uljen e tensioneve por krijon edhe kushte shumë më të përshtatshme për t’u përqendruar me urgjencë tek arritja e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Zonja Xhaçka tha se në këtë rrugë Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën pasi sipas saj arritja e kësaj marrëveshje është një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën por edhe rajonin. /VOA
Diskutime rreth kësaj post