Vendimi i partive të koalicionit opozitar për të mos u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve(KQZ) si subjekte që do të garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit mund të fusë në ngërç një tjetër proces që lidhet me administrimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, atë të ngritjes së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).
Kodi Zgjedhor përcakton që KQZ-ja, jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve, vendos për ngritjen e KZAZ-ve, ndërsa mbledhja e parë e tyre thirret me vendim të saj. Partitë politike nga ana e tyre propozojnë kandidaturat për anëtarë në këto komisione, 15 ditë para afatit 90-ditor, që i korrespondon data 5 mars.
Por, dy nga partitë e opozitës me të drejtë propozimi të anëtarëve në KZAZ, Partia Demokratike dhe Partia Republikane, nuk i kanë depozituar ende në institucionin zgjedhor propozimet e tyre, sipas parashikimeve në Kod. Ndërkohë, që Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë respektuar afatet ligjore, duke depozituar në KQZ propozimet respektive.
Në këto kushte, KQZ i duhet t’iu dërgojë dy subjekteve të mësipërme, PD dhe PR, kërkesën për të sjellë emrat me anëtarë të KZAZ-ve brenda datë 19 mars, kur skadon dhe afati ligjor për këtë procedurë.
Drejtues të partive opozitare, duke këmbëngulur në kërkesën për një qeveri teknike, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë deklaruar se nuk do të regjistrohen në KQZ në kushtet aktuale politike.
Edhe Partia Agrare Ambientaliste(PAA), e regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor më datë 2 shkurt, vendosi dje të çregjistrohet.
Diskutime rreth kësaj post