Kreu demokrat Lulzim Basha ka zgjeruar hapësirën e sulmeve ndaj kritikëve. Dje ai ka vijuar takimet në kuadër të zgjedhjeve për 13 qershorin dhe ka goditur ashpër partitë e dala nga e djathta.
Basha gjatë takimit me demokratët në qytetin e Lushnjes nuk i kurseu akuzat ndaj partive të Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarin. Kreu demokrat u shpreh se këta katër faktorë hiqeshin sikur kishin dalë nga PD, por në fakt ishin të sponsorizuar nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se edhe më parë e kishte bërë të qartë si tek qytetarët ashtu edhe në media se nuk ka parti që ka dalë nga PD. Sipas tij, disa prej tyre janë bukëshkalë që kanë shkelur mbi interesat e qytetarëve për të përmbushur interesat e tyre personale, por që përgjigjen e morën në procesin zgjedhor të 25 prillit.
“Katër vite me radhë, katër faktorë që e hiqnin veten sikur kishin dalë nga PD-ja megjithëse unë ua kam thënë ju e ua kam thënë shqiptarëve nga mediat se nuk ka parti që ka dalë nga PD-ja, ka krijesa që ka sponsorizuar Edi Rama disa prej tyre bukëshkalë që kanë shkelur mbi sakrificat e lushnjarëve dhe banorëve të Divjakës për interesat e tyre personale dhe më 25 prill e morën përgjigjen, në Divjakë, Lushnje dhe në të gjithë Shqipërinë dhe shkuan aty ku e kishin vendin”, – tha ai.
Lideri demokrat u shpreh se gjithmonë qëllimi i tyre ka qenë përçarja, por këtë nuk e kanë arritur dot. Basha tha se PD nuk u zvogëlua dot, por u bë më e fortë e më e madhe. Sipas tij PD është spiranca e shpresës për bashkim dhe për vlerat që ndan.
“Nuk ia doli dot as të na zvogëlojë, as të na përçajë. Manovrat e përçarjes, pykat e përçarjes iu thyen ndërsa ne jo vetëm nuk u zvogëluam, por u rritëm, u bëmë më të fortë, u bëmë më të mëdhenj dhe pa diskutim jemi sot spiranca e vetme e shpresës së shqiptarëve për ndryshim siç kemi qenë tash 30 vjet për dy arsye kryesore: për vlerat që bashkë ndajmë dhe prej bashkimit që kemi ditur ta kthejmë në një armë të fuqishme në kohën e agresionit ndaj nesh”, – tha Basha.
Basha thirrje demokratëve për të vazhduar betejën
Lideri aktual i PD, Lulzim Basha teksa zhvilloi një takim edhe në Fier iu përsëriti qytetarëve thirrjen për të vazhduar betejën ndaj masakrës zgjedhore të 25 prillit. Basha u shpreh se kushdo që kritikon mënyrën sesi PD lufton modelin e kriminalizimit tek kundërshtari, duhet injoruar. Ai tha se të gjithë ata që kritikojnë PD sepse kundërshton shkrirjen e partisë me shtetin, duhet përbuzur dhe lënë mënjanë në mjerim. Sipas tij vëmendja duhet të jetë e gjitha ndaj armikut kryesor dhe regjimit të tij duke iu referuar kështu kryeministrit Edi Rama.
“Modeli ynë ka triumfuar. Ata që na kritikojnë sepse vazhdojmë të tregojmë me gisht modelin e kriminalizimit të kundërshtarit tonë, të shkrirjes të pushtetit me partinë, ata që na konsiderojnë demode, në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse shërbimin më të drejtpërdrejtë të kundërshtarit tonë. Ata duhen injoruar, duhen përbuzur dhe duhen lënë në mjerimin e tyre personal. Sepse lufta totale kundër demokracisë, kërkon që e gjithë vëmendja jonë të jetë ndaj armikut numër një të demokracisë, që është regjimi i Edi Ramës. Me këtë forcë, kam ardhur t’ju kërkoj ta vazhdojmë betejën, sikundër kam ardhur t’ju kërkoj të më jepni besimin të vazhdoj t’i prij betejës për të treguar në sy të shqiptarëve se çfarë familjeje jemi”, – u shpreh kreu demokrat.
Diskutime rreth kësaj post