Katër deputetë kanë dorëzuar mandatin e tyre për të kandiduar në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Sipas informacioneve, raportohet se paraditen e kësaj të hëne, dorëzoi mandatin Besjan Ajazi, i cili do të kandidojë në Bashkinë e Gramshit për Partinë Socialiste. Vendin e tij në parlament do ta zërë Shkëlqim Bullari.
Mandatin e dorëzoi edhe Benet Beci, i cili do të kandidojë për Bashkinë e Shkodrës dhe vendin e tij mund ta zërë Ilir Beqja.
Ndërkaq, të premten, dorëzuan mandatet dy deputetët e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Luçiano Boçi, të cilët do të zëvendësohen në parlament, respektivisht nga Asllan Dogjani dhe Qamil Xhafa.
“Sapo ka firmosur dorëheqjen e tij Besjan Ajazi. Ai është deputet i qarkut të Elbasanit dhe do të garojë më 14 maj për Bashkinë e Gramshit. Vendin e Besjan Ajazit në parlament në radhët e PS-së, e zë Shkëlqim Bullari, kandidati i kësaj partie në qarkun e Elbasanit, por me përgjegjësi politike në qytetin e Cërrikut. Besjan Ajazi është deputeti i tretë i cili lë mandatin, pasi të premten, këtë gjë e bënë edhe dy deputetët e PD-së. Përkatësisht, Belind Këlliçi, që kandidon për Bashkinë Tiranë dhe vendin e tij do ta zërë Asllan Dogjani. Bashkë me Këlliçin, manatin e dorëzoi edhe Luçiano Boçi i cili kandidon në Elbasan nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Vendin e Luçiano Boçit do ta zërë Qamil Xhafa”, raportoi gazetarja Konomi.
Pritet që edhe një deputet tjetër të lërë mandatin. Nga foltorja, në Vaun e Dejës do të kandidojë Zef Hila. Mandatin e tij do e marrë Ludovik Hasani.
Diskutime rreth kësaj post