Nga Ben Blushi
Edi Rama paska thënë, se numërimi elektronik i votave në Republikën tonë është një aventurë e rrezikshme. Dhe këtë pohim prej amatori profesionist nuk ja ka deleguar asnjërit prej dallëndysheve të Rilindjes, por e ka stërholluar vetë me laps, me bojë e kartë.
Pasi nuk bëri zgjedhje për shtatë vjet si Kryetar i Rilindjes, pasi grabiti një mandat pa votim por me referendum, pasi vodhi votat e referendumit brenda partisë, i cili ende nuk ka rezultat, pasi dha gjithë shëndetësinë me koncesion, pasi miratoi ligjin e mbetjeve, pasi mbolli kanabis me leje në çdo cep, pasi bëri deputet dhe kryetar bashkie çdo bandit me kollare, pasi dëboi dyqind mijë shqiptarë në emigracion, pasi e ktheu energjinë në mall luksi, pasi rriti çmimin e gazit dhe të naftës, pasi e ktheu diplomacinë shqiptare në guidë turistike dhe pasi pasuroi dhjetë te pasur me taksa duke varfëruar 1 milion te varfër, thotë se votat e tyre do ti numërojë vetë pasi makina elektronike gabon më shumë se çdo numërues batakçi.
Beson se do të na bindë se numëruesi i tij nuk vjedh vota por makina vjedh, se numëruesi nuk fle, por makinën e zë gjumi, se numëruesi nuk lodhet por makina drobitet,se numëruesi punon pa drita por makina jo, se numëruesi nuk ha por makinën e merr uria, se numëruesi nuk pi por makina ka etje, se numëruesi sheh por makina është miope, se numëruesi nuk sëmuret por makinën e zë gripi, së numëruesi nuk plaket por makina ndryshket, se numëruesi nuk ikën por makina zhduket, se numëruesin nuk e merr njeri në telefon por makina ia hap celularin kujtdo, se numëruesi llogarit kurse makina numëron.
Çfarë mjerimi.
Sa i vjetër në ide, sa i plakur në mendim, sa i gjorë në frikë, sa i mjerë në arsye. Dhe të mendosh se këtë e thotë dikush, që pasi hapi digën dhe shkaktoi përmbytje, thotë se hapja e çezmës është një aventurë!
Diskutime rreth kësaj post