Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi shpreset para gazetarëve se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Sali Berishës, por shprehet i hapur të bashkëpunoje me të gjithë deputetët që janë rreshtuar në kahun tjetër të PD-së.
“Opinionin tim për Berishën ju e dini dhe është publik sa kohë do të jem në politikë. Jo se kam diçka personale me Berishën, por gjykoj se PD-ja duhet të ketë një tjetër të ardhme të saj. Sa i përket mbledhjes së përbashkët të të gjithë deputetëve, të gjithë anëtarët e grupit janë të mirëpritur, por respektoj gjykimin e secilit. Sa i përket zhbërjes së përjashtimeve nga grupi është një kompetencë e partisë. Kjo nuk e pengon secilin deputet të opozitës të dalë nga lista e zgjedhjeve që në aksionin opozitar ne të jemi bashkë…”, është shprehur ai.
Bardhi ka një debat të hapur edhe me kryesinë e PD-së zyrtare pasi shumica prej tyre nuk kanë pranuar që vendimi i marrë pak ditë më parë për miratimin e kryetarit të partisë në fund të korrikut të kalojë për votim në Këshillin e Kombëtar siç e kërkon edhe statuti.
A do të japë ai dorëheqjen në rast se as kësaj here nuk do t’i bindet kryesia? Bardhi jep një përgjigje interesante.
“Vendimet e mia do t’i marr në interes të partisë dhe të demokratëve, por nuk e çoj në mendje që kryesia e partisë nuk do zbatonte statutin. Do të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i kryetarit të ri të partisë dhe e gjithë strukturës së partisë…”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post