Nga Mero Baze
Kam së paku dhjetë vjet, që jam një kritik i ashpër dhe here herë i pashpirt ndaj Lulzim Bashës. Vazhdoj të mos kem dyshim tek fallciteti i tij, boshllëku intelektual, mungesa e personalitetit dhe veset e një njeriu që për politikën nuk ka asnjë pasion, por e shikon si biznes. Vazhdoj të mos kem asnjë dyshim për rrugët që ka përdorur për t’u futur dhe për të avancuar karrierën e tij në politikë, që është rruga e përuljes, servilizmit, fallcitetit dhe kurtheve të vogla ndaj rivalëve në garë, për t’u bërë i adhuruari i liderit të madh.
Sot është dita që ai duhet të paguajë për të gjitha këto, ndaj mendoj se Partia Demokratike nuk duhet të merret me Lulzim Bashën, por me problemin themelor të saj, Sali Berishën.
Ne sot nuk do të kishim Lulzim Bashën në krye të Partisë Demokratike, po të mos ishte Sali Berisha. Sali Berisha nuk është përgjegjës vetëm për humbjen e thellë të vitit 2013, por dhe për faktin që tentoi të mos e pranonte ikjen nga politika, duke i deleguar formalisht pushtetin në Partinë Demokratike, Lulzim Bashës, në një proces që nuk pati garë, por emërim.
E keqja e Partisë Demokratike dhe fati i saj i sotëm, nis pikërisht në korrik të vitit 2013, kur Partia Demokratike pranoi fasadën e zgjedhjeve në PD. Sot mund t’ia kujtoj miqve të mi, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj dhe të tjerëve aty, faktin që injoruan emërimin e Lulzim Bashës, duke e quajtur referendum zgjedhjen e tij nga PD në vitin 2013. Nuk e kam nga emocioni im personal për Sokol Olldashin, por nga fakti se ajo ishte mënyra, se si Berisha nuk pranoi të ikte nga Partia Demokratike dhe ta linte të lirë të çlironte energjitë e saj pozitive.
Nuk jam i sigurt se Olldashi do bënte mrekullinë, por liria e zgjedhjes do funksiononte dhe katër vite do ishin një shkollë për të formuar një lider të pavarur.
Lulzim Basha jo vetëm që e pranoi këtë fat, bashkë me PD, por për katër vite lejoi që Berisha të dominonte jetën politike të PD, ta mbante atë peng të mjerimit të tij politik, gjuhës vulgare dhe tezave të çoroditura politike, dhe mbi të gjitha, të futej në një aleancë thuajse të hapur dhe me një degë të pushetit kundër Perëndimit, siç ishte rasti i reformës në drejtësi.
Në fund të mandatit, Lulzim Basha nuk pranoi të përballej me Berishën, por tentoi t’ia vjedhë atij partinë, pasi i kishte marrë më parë vulën dhe firmën. Ai ju fsheh atij për disa ditë, sa bëri një marrëveshje me Edi Ramën dhe një listë të re, duke flakur në rrugë gjithë trashëgiminë politike të PD, duke e zëvendësuar atë me njerëz pa asnjë vlerë. Akoma më keq, ai ruajti nga PD e vjetër brenda listës, pjesën me vulgare të Berishës në PD, ata që i përdorte si zagarë gjahu.
Ky ishte dhe fundi i Lulzim Bashës. Dhe këtë fund ja diktoi Sali Berisha, qysh nga mënyra si e çoi në krye të PD, deri tek mënyra se si u përpoq ta kontrollonte dhe ta përdorte për interesa të tij.
Sali Berisha po ashtu, është përgjegjësi kryesor, përse LSI u rrit në këto zgjedhje. Ndërsa Lulzim Basha tentoi të bëjë një fushatë anti LSI, duke sulmuar Ilir Metën, Sali Berisha me ligësi, bëri kundërfushatën e tij, duke promovuar Ilir Metën dhe duke i shkelur syrin demokratëve, për t’u lënë të kuptohej se do të ishin bashkë me Ilir Metën. Ai e priti atë në zyrë, një ditë pas marrëveshjes me Ramën, dhe gjatë gjithë fushatës bëri antifushatën e Bashës. Kjo bindi shumë njerëz të lëkundur në PD, se ishte më e sigurtë të votoje Metën, se Bashën, pasi me Metën e kishe më të sigurt shpërblimin. Dhe kjo është përgjegjësi direkte e Berishës.
Por mbi të gjitha, Sali Berisha rrezikon të jetë dhe më tej autor i tragjedisë së PD, me thirrjet “dumbabiste” të disa figurave të PD, që mendojnë se Berisha duhet të diktojë sërisht rregullat e lojës në PD dhe të caktojë një pasardhës tjetër. Ky do ishte fundi i fundit të PD-së.
Sali Berisha ka pas shans të linte të lirë PD-në, të analizonte humbjen e Bashës në zgjedhjet vendore të vitit 2015, humbjet në zgjedhjet e pjesshme lokale dhe të mos besonte gënjeshtrat që shpikte.
Edi Rama u votua masivisht nga shqiptarët, pasi për interesa të ngushta të Berishës, ai u demonizua duke i mveshur atij përgjegjësi që nuk i kishte, duke e akuzuar për vjedhje votash, kontroll zgjedhjesh, ndikim të pushtetit në zgejdhje etj, dhe duke shpikur për këtë çadrën në boulevard, si kërcënim për të destabilizuar Shqipërinë, nëse Rama nuk dorëzohej. Edi Rama fitoi pasi arriti t’i bindë shqiptarët, se këto janë gënjeshtra, përmes një mekanizmi shumë të thjeshtë. Ai pranoi t’i marrë “seriozisht” gënjeshtrat e tyre, bëri marrëveshje, i futi në qeveri, u dha pushtetin dhe i la t’i bëjnë vetë zgjedhjet. Dhe ata sot kanë humbur nga zgjedhje që i kanë bërë vetë dhe nga gënjeshtra që kanë shpikur vetë. Shqiptarët u bindën se Edi Rama nuk kishte çfarë të fshihte. Berisha dhe ata që shpikën çadrën, e menduan Ramën si vetveten, që nuk do tolorente dhe ata do prishnin zgjedhjet. Edi Rama i mundi ata duke i ballafaquar me gënjeshtrën e tyre, duke i vënë të kontrollonin fantazinë e tyre.
Ndaj nëse PD ka një shans t’ia nisë të ngrihet, së pari duhet lënë e lirë. Duhet lënë e lirë nga Sali Berisha dhe ndikimi i klanit të tij familjar në PD. Lideri i ri i PD, duhet të jetë dikush që nuk ka asnjë detyrim ndaj Sali Berishës dhe asnjë nevojë të konsultohet me të. Sali Berisha duhet të mbyllet në shtëpi, si dikush që bën dëm dhe po e pe në rrugë.
Kushdo që mendon se shqiptarët kanë votuar kundër PD për shkak të Lulzimit, çadrës, apo broçkullave të Bashës, është duke rimarrë më qafë Partinë Demokratike. Vota kundër PD, është votë popullore në vazhdim, kundër Sali Berishës. Lulzim Bashën nuk e ka marrë njeri seriozisht si lider të PD. Atë e kanë marr seriozisht vetëm si skuth, një javë para zgjedhjeve, por jo si udhëheqës. Votat e shqiptarëve kundër PD lidhen me Sali Berishën, dhe faktin që ajo parti nuk ka fuqi ta largojë atë në shtëpi, pasi shqiptarët e pushuan nga puna.
Mos kërkoni më ndonjë djalë të gjatë, të bukur, të sjellshëm si servil, por gjeni dikë që i besoni dhe që bind shqiptarët, se nuk është ushtar i Sali Berishës. Pas kësaj keni plotësuar kushtin e nevojshëm të ngriheni. Ndryshe mos u çudisni që një opozitë e re, pamvarësisht PD, të forcohet përballë Edi Ramës. Njëzetvjeçarët e sotëm, kanë lindur kur Saliu ka ik herën e parë nga pushteti më 1997.
Mund të bësh plot manovra brenda PD, të bësh sikur bën zgjedhje, të bësh sikur ke zgjedhur kryetar, të bësh sikur shpik beteja, por njerëzit të shikojnë çfarë bën. Thjesht nuk i gënjen dot. Dhe duket që Basha, i cili nuk ka lënë njeri pa gënjyer kokë më kokë, nuk ka mund t’i gënjejë dot shqiptarët në bllok. Thjesht e kanë refuzuar si të Saliut!
Diskutime rreth kësaj post