Qeveria Rama shkarkoi sot drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, për rezultate të pamjaftueshme në detyrë. Vendimi i qeverisë, sipas ministrit të punëve të brendshme, Blendi Çuçi, lidhet me mospërmbushjen e objektivave, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.
Ministri Çuçi tha për mediat se shkarkimi lidhet dhe me situatën e krijuar muajt e fundit, e cila, sipas tij, “kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit”.
Dy ditë më parë në qarqet mediatike të Tiranës u përhap një njoftim se zoti Nano kishte dhënë dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë si të pavërtetë.
Ish drejtori Nano nuk ka dhënë ende ndonjë reagim për shkarkimin e sotëm nga detyra. Ai është një nga drejtuesit më afatshkurtër në detyrë.
Ambasada amerikane në Tiranë shprehu vlerësimin për zotin Gledis Nano, i cili, siç thuhet në një postim në rrjetin Twitter, “ishte një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”.
Qeveria emëroi Gledis Nano në tetorin e vitit të kaluar si drejtor të policisë së shtetit, pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ardi Veliu.
Zoti Nano ka një karrierë mbi 20-vjeçare në polici dhe 5 vitet e fundit ishte drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Ai është diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë, dhe në punën e tij ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Kriminaliteti gjatë sezonit turistik dhe disa krime të rënda javët e fundit nga grupet e krimit të organizuar përkeqësuan gjendjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri./VOA
Diskutime rreth kësaj post