Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, zhvilloi sot një vizitë në Panairin e Punës në Pallatin e Kongreseve, ku mori pjesë në aktivitetin e Dhomës Kombëtare të Zejeve, e cila sapo është krijuar në bazë të ligjit të ri për Zejtarinë në Republikën e Shqipërisë. Fokusi i Ligjit të Zejeve është nxitja e veprimtarisë së zejeve dhe organizimi i subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.
Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi e konsideroi si një hap shumë të rëndësishëm bashkimin e zejtarëve në Dhomën e tyre, pasi zejet nxisin punësimin. “Por, që të bëjmë këtë, na duhet që t’i rregullojmë dhe t’i stimulojmë, dhe gjithashtu t’u japim mundësi të gjithëve atyre që janë zejtarë që të kenë aftësi për të trashëguar atë që dinë dhe për t’ua mësuar brezave të rinj me të njëjtën cilësi”. Ministrja shpjegoi se për të nxitur zhvillimin e këtij sektori AIDA ka vënë në dispozicion dy fonde : artizanati dhe start-up. Kryesisht, fondet e Artizanatit janë të dedikuara për ato që merren me art, që prodhojnë produkte hand-made dhe i tregtojnë brenda vendit, ose edhe jashtë vendit për eksport. Ndërkohë, duhet të gjejmë disa forma shumë inovative për të promovuar zejtarinë tonë, atë që e kemi traditë dhe jemi përpjekur në gjithë këto vite ta ruajmë”, tha Ministrja Ekonomi. Aktiviteti u organizua nga Biznes Albania që ka marrë përsipër të promovojë ligjin e ri të zejeve. Në fjalën e tij presidenti i Biznes Albania, z Luan Bregasi vlerësoi ligjin e ri të zejeve dhe tha se krijimi i dhomës është nga projektet më të rëndësishme dhe më të bukura për sipërmarrjen private, sepse i ka munguar tregut të punës, strukturës së biznesit, një dhomë e konsoliduar për gjithë sipërmarrësit e vegjël, për zanatçinjtë.
Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes:
Për mua është hera e dytë që vij në këtë funksion te Panairi i Punës, por për ju është hera e katërt që merrni pjesë. Në dy panaire e para kam qenë thjesht si vizitore, por kam kuptuar që duke u bërë traditë mund të nxitet edhe më shumë pjesëmarrja e të rinjve në procesin e prodhimit apo të sipërmarrjes në Shqipëri, të bëhen pjesë aktive e tregut të punës. Tema për të cilën po flasim lidhet me zejet.
Megjithatë, unë dua të sjell në vëmendje dy fakte shumë interesante për të kuptuar punësimin dhe shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës nga dy sektorë në Shqipëri. Njëri sektor është ai i turizmit. Para pak ditësh, Qendra Botërore e Udhëtimeve dhe Turizmit WTTC publikoi disa të dhëna, sipas të cilave Shqipëria zë vendin e tretë në botë, ku 24 për qind e fuqisë punëtore aktive është në turizëm, e cila është një shifër relativisht e lartë. Nuk e kam fjalën për rankimin botëror, por dua të them se turizmi po kthehet në një aktivitet që punëson gjithmonë e më shumë, individë nga forcat e punës në Shqipëri, që hyjnë në këtë treg aktiv.
Një sektor tjetër i rëndësishëm është një sektor që ka të bëjë me disponibilitetin e fuqisë punëtore për ato që janë shërbimet e nënkontraktuara. Për këtë gjë në Shqipëri u bë një analizë nga një grup ekspertësh ndërkombëtar, e cila tregoi se ky lloj tregu në Shqipëri ka mundësi për të shtuar kapacitetin e vet të punëzënies me rreth 35 për qind më shumë. Është tregu që ka të bëjë me shërbimet që nënkontraktohen, siç mund të jenë për shembull shërbimet informatike, ato të konsulencës fiskale, kontabël, apo dhe ato që quhen call center-s.
Përsa i përket ligjit të zejeve, unë e di që ju të gjithë keni punuar shumë fort, ndaj e prita me shumë entuziazëm momentin kur ligji i zejeve u miratua në Parlament. Më bëjnë përshtypje disa fakte që lidhen me analiza të mëparshme për zejet. Në vitin 2010-2011, GIZ Shqipëri u përpoq të bënte një analizë të zejeve në vend dhe u kuptua që në sektorin e zejeve, këto profesione të vogla artistike, ose profesione që kanë të bëjnë me përpunimin e disa produkteve me dorë në vendin tonë, përpunimi zinte rreth 37 % të fuqisë punëtore, dizajni rreth 29 %, 23 % e zinin kryesisht punët artistike dhe 10 % e zinte reklama. Por, gjithë zejet në Shqipëri në atë moment jepnin 0.5 për qind kontribut në GDP. Pra, zejet punësonin dhe jepnin kontribut modest në GDP.
Megjithatë, ka shumë mundësi që, duke u nisur nga ky sektor dhe nga kuota e punësimit në turizëm, të mendojmë që zejet mund të jenë e ardhmja me të cilën duhet të shkojmë përpara për të rritur punësimin. Por, që të bëjmë këtë na duhet që t’i rregullojmë dhe t’i stimulojmë, dhe gjithashtu t’i japim mundësi të gjithë atyre që janë zejtarë që të kenë aftësi për të trashëguar atë që dinë, por edhe për ta mësuar me cilësi.
Kështu që, unë besoj që e gjithë kjo që po ndodh sot, kjo iniciativë e juaja për të ardhur së bashku në këtë konferencë, për të pasur një statut të Dhomës Kombëtare të Zejeve, padyshim që është një gjë shumë e mirë. Unë dua t’ju them dhe diçka tjetër që, në këtë periudhë qeverisje, 2013-2016, vëmendja është përqendruar edhe me fondet që mbështesim sipërmarrjen.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) menaxhon disa lloj fondesh, por dy lloj fondesh janë shumë të rëndësishme: ato që kanë të bëjnë me artizanatin dhe ato që kanë të bëjnë me start up-et, kur një iniciativë që ke, merr përsipër ta çosh përpara. Kryesisht, fondet e Artizanatit janë të dedikuara për ato që merren me art dhe kanë nevojë ta japin këtë produkt për ta konsumuar brenda vendit, ose edhe jashtë vendit për eksport. Ndërsa, start up-et lidhen kryesisht me produkte të vogla, që reklamojnë një produkt që vjen nga artizanati ose mund të jetë një produkt i pavarur. AIDA në tre vitet 2013-2016 ka ndihmuar 86 biznese me në vlerë prej 32,3 milion lekë. Në Shqipëri, njohja e këtyre dy programeve ka filluar të bëhet në mënyrë kapilare. Në çdo bashki, AIDA shkon dhe informon për këto lloj mundësish që mund të kenë zejet. Pra, mund ta përdorim dhe këtë Forum për të thënë se keni dy fonde në dispozicion për të shtuar pikërisht pjesëmarrjen e zejtarëve, dhe për të bërë të mundur që bashkë me AIDA dhe Agjencinë Kombëtare të Formimit Profesional, të kalojnë dijen nga njëri brez të tjetri.
Ndërkohë që duhet të kemi parasysh se pse Shqipëria konsiderohet si një vend destinacion turistik i rëndësishëm është padyshim fakti që Shqipëria vjen si e panjohur dhe për ata që janë turistë dhe vizitojnë Shqipërinë, një nga mundësitë e të panjohurës është që të promovosh zejtarinë. Kështu që, edhe për këtë arsye, duhet të kemi parasysh që duhet të gjejmë ca forma shumë inovative për të promovuar zejtarinë tonë, atë që e kemi traditë dhe jemi përpjekur në gjithë këto vite ta ruajmë.
Ka dhe diçka tjetër që duhet ta mbajmë në konsideratë. Në zonat e thella rurale zejtaria është në një formë primitive akoma, ndërsa në zonat urbane zejtaria ka ardhur e përmirësuar dhe me elementë inovativë. Do të ishte shumë e udhës që bashkëpunimi mes zejtarëve që vijnë nga zonat e thella rurale dhe atyre që vijnë nga zonat urbane, të ishte një bashkëpunim që Dhoma e Zejeve ta nxiste, në mënyrë që edhe njohuria dhe zhvillimi i zejeve në nivel kombëtar të bëhej pak më shumë gjithëformues dhe i unifikuar.
Kështu që, unë besoj se kjo do të jetë një nga gjërat që do të ketë parasysh Dhoma e Zejeve.
Nga ana tjetër, duhet të theksojmë një fakt të rëndësishëm që, shumë nga ndërmarrjet që kanë përgjegjësi sociale mbështesin gjithashtu artizanatin, dhe këto janë padyshim kompanitë e mëdha që janë prezent këtu, dhe është një rast i mirë që panairi i Punës mund të vërë përballë ata që janë përfaqësues të biznesit të madh dhe përfaqësuesve të zejeve, sepse ka shumë mundësi që me përgjegjësinë e tyre sociale të mundohen dhe çojnë më tej këtë shkollë të re të formimit profesional që është zeja.
Një tjetër gjë e rëndësishme që dua të sjell në vëmendje ka të bëjë me ndërmarrjet sociale, ku bashkohet puna për të çuar përpara një ide dhe ju e dini që po punohet fort që një ndërmarrje sociale të vijë si bashkim i punës dhe investimi që bëhet të jetë i përbashkët, por gjithashtu dhe të ardhurat të riqarkullojnë prapë në ndërmarrjen sociale, duke bërë të mundur që ideja të shkojë përpara dhe të bëhet fitimprurëse. Unë besoj se dhe në këtë hapësirë të re ligjore që po punohet, zejet kanë një vend të rëndësishëm dhe duhet të shkojmë përpara me iniciativa ligjore të mirëfillta dhe kërkesa për programe mbështetje.
Është një iniciativë shumë e mirë, sepse ndërkohë Shqipëria, ju e dini që, kontributin më të madh në GDP-në e vendit e japin ndërmarrjet që janë mikro dhe të vogla. Në gjithë gamën e ndërmarrjeve që ne kemi, ndërmarrjet mikro dhe të vogla zënë gati 90-92 për qind dhe japin një kontribut që është rreth 80 për qind në GDP. Pra, imagjinoi se sa mund të kenë nevojë këto ndërmarrje edhe për zejet. Kështu që, edhe për ato do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që të kalonte produkti nga një nivel organizimi i sipërmarrjes tek niveli tjetër.
Uroj që takime të këtij lloji të zhvilloheshin dhe në të ardhmen.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të jetë gjithmonë aty për të ndihmuar sa herë që ka një iniciativë që mund të gjejë vend në programet tona të mbështetjes dhe padyshim që stafi i ministrisë do të jetë i gjithi në dispozicion të artizanëve për që çuar përpara idenë që ato kanë.
Ju faleminderit!
Diskutime rreth kësaj post