Gazetari Ylli Rakipi është i mendimit se Gramoz Ruçi dhe Lefter Koka u tërhoqën nga politika për të shmangur një shpallje të mundshme ‘non grata’ nga SHBA.
Rakipi tha se si Ruçi e Koka janë “rrëzuar nga kali” nga partia e vet politike. Ai shtoi se rasti i Kokës ishte flagrant edhe pse cilësoi se e dinte këtë një muaj më parë, ndërkohë që Ruçi sipas tij e mbylli më me nder karrierën në një moshë shumë të madhe.
“Padyshim. Dhe këto para shpallen ose rrëzohen nga kali, nga vetë forca politike që i ka, sepse ata i njohin mirë. Ruçi e mbylli më me nder sepse e mbylli karrierën në një moshë shumë të madhe. Ndërsa Koka është rast flagrant. Unë e dija një muaj më parë, njerëz të lidhur në njëfarë koalicioni me Ramën ma kishin thënë që do të ndodhte një gjë me Kokën”, – tha Rakipi.
Ndërsa për qeverinë e re, Rakipi tha se me pushtetin që ka grumbulluar, Rama ka luksin të bëjë cilëndo qeveri të dojë. Rakipi parashikon për kabinetin e ri një qeverisje si ajo e dy mandateve të para, pasi siç u shpreh ai, edhe kjo qeveri ka fytyrën e Ramës, kjo edhe për shkak të opozitës së dobët që ka përballë.
“Edi Rama ka luksin të bëjë cilën qeveri të dojë. Ishte e pritshme, nuk kishte kureshtje se çfarë do të ndërtonte më pas. Ishte një retushim. Është qeveria “Rama” për shkak të 74 mandateve të qarta. Ne kemi Edi Ramën numër 3 dhe jo ndryshime thelbësore. Ai ka marrë dy mandate dhe do të vazhdojë të qeverisë siç ka qeverisur. Ai e ka luksin të bëjë çfarë të dojë në këtë vend. Kjo sepse opozita përballë Ramës është mjaft e dobët. Ata po përpiqen me të gjitha mënyrat të kenë poste në opozitë.”, – tha Rakipi.
Diskutime rreth kësaj post