Kur kanë kaluar afro 1 muaj e gjysmë nga vrasja dhe më pas djegia e nënë e bir Selkie dhe Olsi Hoxhallarit, policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen makabre.
Pas hetimeve intensive janë vënë në pranga Hysnie Hoxhallari, nusja e shtëpisë 32 vjeçe, banuese në Vlorë, si dhe Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.
Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit Olsi Hoxhallari e Selkie Hoxhallari, si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.
NJOFTIMI I POLICISË
Konferencë për shtyp e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Gentjan Shehaj, për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të vrasjes së dyfishtë, të ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji”, Vlorë
Vihen në pranga dy autorët e vrasjes, sekuestrohet edhe arma e ftohtë me të cilën dyshohet së është kryer krimi!
Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, finalizuan operacionin e koduar “Devijimi”, ku është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.
Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor, të cilat çuan në dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vrasjes së dyfishtë dhe të djegies së trupave të dy shtetasve, nënë e bir.
Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, banuese në Vlorë.
Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.
Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit O.H., e S.H., si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.
Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali).
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 79/dh dhe 25 të Kodit Penal.
Policia e Vlorës, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, dhe në këtë kuadër fton qytetarët dhe mediat në bashkëpunim, me qëllim krijimin e një ambjenti sa më të sigurt për të gjithë.
Diskutime rreth kësaj post