Shyqyri Çobo, gjyqtari i pezulluar i Gjykatës së Beratit, nuk ia ka dalë të rrëzojë në Apelin e Krimeve të Rënda dënimin e tij për “korrupsion”.
Sipas Apelit, Çobo i ka kërkuar favore seksuale një gruaje 30vjeçare, palë në një proces të gjykuar prej tij, në këmbim të një vendimi gjyqësor në favor të saj.
Një pesëshe e Apelit ka lënë të pandryshuar dënimin e dhënë më 9 janar 2017 nga Shkalla e Parë për të shkruan panorama. Në këtë gjykatë ai u deklarua fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg, ekzekutimi i të cilit u pezullua, duke e lënë gjyqtarin në Shërbim Prove për një periudhë 18 mujore.
Po ashtu, atij iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit për një periudhë 5vjeçare. “Ai e kreu veprën penale në formën e kërkimit të përfitimit të padrejtë, favorit seksual, nga e dëmtuara, palë në proces, duke marrë përsipër kryerjen e një veprimi që lidhej me detyrën e tij dhe, konkretisht dhënien e vendimit gjyqësor në favor të saj”, argumentonte Apeli në vendimin përfundimtar, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta.
Vendimi nxjerr në dritë SMS të papublikuara më parë, të dërguara nga gjyqtari drejt numrit të 30vjeçares. Sipas Apelit, në përmbajtjen e SMSve, përmes të cilave gjyqtari i kërkonte asaj favore seksuale, nuk janë kursyer dhe citate nga Kurani, shkrimtarë dhe psikanalistë.
“Në kuadër të kërkimit të favoreve seksuale, në komunikimin me të dëmtuarën, i pandehuri përdori referenca në Kuran, te shkrimtarë apo psikanalistë.
Më datë 09.05.2015, ai iu referua Kuranit për trajtimin që i bënte ndjenjës së dashurisë; Frojdit, për trajtimin e avantazheve të të pasurit të një të dashuri në kushtet e qenies i martuar dhe, në datë 22.05.2015, Gorkit te romani ‘Nëna’, për gjërat më të mira në jetë të cilat ishin falas, duke lënë vend për nënkuptime”, argumentonte Apeli i Krimeve të Rënda.
Sipas gjykatës, të tjera SMS përmes të cilave Çobo i kërkonte 30 vjeçares përfitime të llojit jomaterial ishin: “Kur të them që të jesh mikja ime, qëllimi është se do të qëndroj pranë si mik (pse keqkuptohesh).
Fundja mua në jetë s’më mungon asgjëasgjë. Për problemin që po të tundon, ndihma ime s’do të mungojë, pavarësisht konkludimit tuaj”; “Pjesë e miqësisë time janë persona të nivelit qëndror qeverisës deri poshtë (vertikal)…”; “Sinqerisht, komunikimi me Ty më duket maksimalisht i vështirë…!”;
“Argumenti habitës është fakti se ju jeni e shkolluar”; “Dua të jem konfidencial me ty. M’u drejto me Ti! Je mjaft e mirë!”; “Ndjenja njerëzore më fisnike që Zoti i ka dhuruar njeriut është “Dashuria”!!”.
Diskutime rreth kësaj post