Kreu i PD, Lulzim Basha brenda 72 orëve do të vendosë listën e emrave që do të garojnë për Partisë Demokratike për 25 Prillin. Në zyrën e kreut të demokratëve janë shumë emra, por kalkulimet që nisën me përfshirjen e aleatëve në lista kanë vijuar me angazhimin e figurave lokale që deri në 2019 drejtonin pushtetin vendor të zgjedhur nën logon e Partisë Demokratike.
Shumë prej ish-kryebashkiakëve pritet të konfirmohen si kandidatë të Partisë Demokratike në qarqet ku kanë drejtuar pushtetin vendor. Xhelal Mziu ishte konfirmimi i parë i kreut të demokratëve. Ish-kryebashkiakut me disa mandate në Bashkinë e Kamzës, Basha i besoi drejtimin e qarkut dhe listës në Qarkun e Dibrës.
Në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës priten të jenë dy ish-kryebashkiakë, Zef Hila ish-kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës dhe Ramadan Lika ish-kryebashku i Malësisë së Madhe. Lulzim Basha do t’i jap hapësirë në listat e Partisë Demokratike në qarkun e Korçës edhe Bledion Nallbatit, ish-kryebashkiakut të Devollit që vendosi t’i bindet vendimit të opozitës në 2019 për të mos rikandiduar. Një tjetër emër i angazhuar për të qenë pjesë e listave të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit është edhe Agron Kapllanaj. Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës është angazhuar prej disa javësh në fushatë.
Dilema e vetme e Lulzim Bashës, shkruan Abc News në rastin “Kapllanaj” është pranimi i këtij të fundit në formularin e dekriminalizimit se ka një dënim të formës së prerë me 2 vjet heqje lirie, vendim i cili është marrë në vitin 2004.
Disa prej ish-kryebashkiakëve të PD si Besnik Dushaj në Tropojë, Bashkim Shehu në Kukës apo Eduard Kapri në Pogradec e humbën mundësinë për të qenë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë pasi u skualifikuan nga anëtarësia e PD, gjatë procesit të brendshëm që Partia Demokratike zhvilloi një vit më parë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Diskutime rreth kësaj post