Veç orientimit nga gjykata, për thellimin e hetimeve të prokurorisë SPAK, në verifikime pasurore dhe korruptive, të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrit Shkëlqim Cani, janë dhe katër emra të tjerë, zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike që po hetohen
Mësohet se 4 personat që janë në hetim quhen Gentian Këri, me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, Spiro Kuro, me detyrë zv/kryetar i këtij komisioni dhe dy anëtarët Leonard Gremshi dhe Hektor Balluku.
Të 4 këta persona, dy ish-ministrat, zyrtarë të tjerë në ministrinë e Shëndetësisë dhe kompaninë konçesionare “Sani Service”, janë duke u hetuar nga SPAK, pas një vendimi detyrues nga gjykata për të thelluar veprimet hetimore.
Sipas këtij dokumenti, 4 zyrtarët e KPP, janë njerëzit që në 23 shtator 2015 kanë marë në shqyrtim ankesën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomike, “Action Laundry”, “S.S.I”, “Mario Gugliemo” dhe “Brema Ambiente”, kompani këto që janë renditura humbesë në garën për konçesionin e sterilizimit.
Bashkimi i këtyre kompanive, kërkonin nga KPP, të shfuqizonte vendimin e muajit Maj 2015 të Komisionit të Dhënies së Konçesionit në Ministrinë e Shëndetësisë, tek kompanitë fituese që udhëhiqeshin nga “Servizi Italia” dhe “Investital” e Ilir Rrapaj.
Sipas ankesës së “Action Laundry” përllogaritej që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.
Kompania me qendër në Durrës pretendoi se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë lekë më pak të shpenzuara (17.8 milionë euro).
Por në shtator 2015, KPP-ja ka pranuar pjesërisht ankesën e “Action Laundry” dhe i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi ka vërejtur se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë kishte gabime matematikore.
Katër anëtarët e KPP-së në vendimin prej 46 faqesh argumentonin se:
“…në respekt të parimit të transparencës dhe barazisë si dy ndër parimet kryesore të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit, autoriteti kontraktor (Ministria e Shëndetësisë) ka gabuar në mbledhjen aritmetike të pikëve në total… Sa më sipër, Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se autoriteti kontraktues në rivlerësimin e procedurës duhet të kryejë edhe mbledhjen e saktë aritmetike të pikëve dhënë operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në këtë procedurë…”.
Pas këtij vendimi detyrues nga KPP, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur në datën 28 shtator 2015 në Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe pikërisht në këtë ditë është shpallur fituesi ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”.
Por çuditërisht, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.
Nga 73.98 pikë që kishte fituar në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më shumë.
Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.
Pas këtij vednimi në muajin dhjetor 2015 Ministri Ilir Beqja, ka firmosur kontratën koncesionare, duke kthyer koncesionin e sterilizimit të paisjeve kirurgjikale, kontratën më të shtrenjtë të partneritetit publik privat të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë.
Kjo kontratë deri në fund të vitit 2022, i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, rreth 76 milionë euro.
Diskutime rreth kësaj post