Një dosje e re me fakte për SPAK për abuzimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit me pushtetin, vëllai i Monikës inxhinieri Drini Kryemadhi me pagë tek SGS më të lartë se sa CEO i kompanisë dhe disa fish më të lartë se sa inxhinierët e tjerë. Dyshime të forta se gjatë 7 viteve shkoi vetëm disa herë në punë. Ishte në të njëjtën kohë biznesmen ndërtimi dhe peshkim.
Disa dokumente publikohen për herë të parë dhe ngrenë dyshime të forta për një tjetër skemë korrupsioni dhe përfitimi të paligjshëm nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, këtë herë në raport me kompaninë koncesionare SGS të kolaudimit të automjeteve.
Në skenë shfaqet Drini Kryemadhi, vëllai i Monika Kryemadhit, respektivisht kunati i Ilir Metës, për të cilin SPAK mësohet se ka regjistruar së fundmi të paktën dy procedime penale për aferat me lobimet në SHBA me para të padeklaruara.
Bazuar në raportin individual tatimor, Drini Kryemadhi ka marrë 36 milionë lekë ose rreth 360 mijë USD nga kompania e kolaudimit SGS, në formë pagash, gjatë periudhës 2013-2020.
Në pamje të parë duket sikur kemi të bëjmë me një raport të zakonshëm mes një subjekti privat që përfiton para publike dhe një inxhinieri, i cili paguhet nga kjo kompani.
Por, faktet që do të rendisim më poshtë flasin për një konflikt interesash, duke ngritur dyshime të forta për një aferë korruptive, e ngjashme me precedentin ‘Bllako’, ku ish deputeti Alqi Bllako është sot në burg, pasi akuzohet se ka përfituar përmes babait rreth 140 mijë USD paga nga kompania koncensinare e inceneratorit të Fierit.
Vëllai Kryemadhit punësohet pas futjes së Metës në qeveri
Koncesioni 10-vjeçar i shërbimit monopol të kolaudimit të automjeteve, i konsideruar nga konsideruar si korruptiv nga opozita e atëhershme, është finalizuar nga qeveria e Sali Berishës gjatë periudhës shkurt 2018 deri në janar 2009.
Në shtator të vitit 2009, Sali Berisha dhe Ilir Meta finalizojnë marrëveshjen politike, duke formuar një qeveri të përbashkët. Dy muaj më pas, pjesë e përfitimit të ndarjes së interesave të pushtetit, do të ishte edhe kunati i Ilir Metës, Drini Kryemadhi.
Në 21 nëntor të vitit 2013, Drini Kryemadhi fillon punë si një inxhinier i thjeshtë mekanik pranë SGS-së, por me një pagë marramendëse.
Zëvendësministër i Transporteve u emërua me propozim të Ilir Metës, Edmond Haxhinasto, i cili më vonë do të bëhej edhe ministër, ku nuk e çoi kurrë për kontroll Njësinë e Zbatimit të Projektit të Koncesionit nga kompania SGS, e cila nisi një histori abuzimesh.
Drini Kryemadhi pagë më të lartë se CEO i SGS!
Drini Kryemadhi punësohet si inxhinier i thjeshtë pranë kompanisë së kolaudimit, por me një pagë disa herë më të lartë se sa inxhinierët e tjerë, madje në një periudhë kohe, më të lartë edhe se sa vetë CEO i SGS-së, një rast ky ndoshta unik në Ballkan.
Konkretisht, paga e vëllait të Monika Kryemadhit rezulton 385,000 lekë/muaj ose rreth 4 mijë USD në muaj, ndërsa CEO i kësaj kompanie, Alexandros Michail rezulton me pagë 351,467 lekë. Në dhjetor të vitit 2013, paga e ‘inxhinierit të famshëm’ është më e lartë se sa e CEO-s së kompanisë koncesionare.
Pra, vëllai i Monikës, të cilin pakkush e ka parë tek SGS-ja, është më i rëndësishëm se CEO i kompanisë.
U mbetet hetimeve për të zbuluar se çfarë procesi pune konkrete ka bërë Drini Kryemadhi, por paga e tij është gati 4 herë më e lartë se sa inxhinierëve të tjerë tek SGS, duke shtuar dyshimet për një skemë përfitimi, duke shpërdoruar pushtetin.
Meta merr nën kontrollon koncesionin ku paguhet kunati
Në shtator të vitit 2013, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të merrnin plotësisht nën kontroll Ministrinë e Transporteve dhe drejtorinë e targave dhe patentave, përmes dy të besuarve të tyre, Edmond Haxhinasto si ministër dhe Ylli Spahiu si drejtor, ky i fundit me dosje në SPAK.
Kjo degë e qeverisjes ishte përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të koncesionit të konsideruar si skandaloz. Teksa vëllai i Monika Kryemadhit vijoi të merrte nga SGS një pagë më të lartë se sa kreu i shtetit shqiptar, kompania nuk u trazua nga ministria e kontrolluar nga Meta dhe Monika, edhe pse shkeli detyrimet që buronin nga kontrata, sidomos me investimet.
Ka shkuar vetëm disa herë në punë gjatë 7 viteve?
Burime për Report Tv thanë se Drini Kryemadhi, edhe pse ishte ndër personat më të paguar tek SGS, është paraqitur në punë vetëm disa herë gjatë 7 viteve. Këto burime nuk janë prova, por organi i akuzës mund të konfirmojë lehtësisht nëse Drini Kryemadhi ka bërë ndonjë punë tek SGS apo rreth 80 paga për të, janë një lloji takse që SGS ka paguar për shkak të rolit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në qeveri. Verifikimi i të dhënave në sistemit TIMS dhe rrëfimi i inxhinierëve të tjerë, do të konfirmonte se sa herë është paraqitur Kryemadhi në SGS gjatë 7 viteve që është paguar.
Vëllai i Monikës biznesmen ndërtimi. A kishte kohë të punonte si inxhinier te SGS?
Disa muaj pasi u ‘punësua’ tek koncesioni i kolaudimit të makinave me pagë rreth 4 mijë USD në muaj, vëllai i Monika Kryemadhit, Drini Kryemadhi, në maj të vitit 2014, blen 45 % të aksioneve në kompaninë e ndërtimit Tirana DKK, me vlerë 18.540.000 lekë ose rreth 180 mijë USD. Nuk dihet rreth burimit të parave, por vëllai i Monika Kryemadhit shndërrohet në një biznesmen ndërtimi, i cili çuditërisht vijon të punojë si inxhinier në një kompani private.
Drini Kryemadhi biznesmen peshkimi
Para se të bëhej një biznesmen ndërtimi, Drini Kryemadhi ka qenë ndërkohë një biznesmen peshkimi. Në janar të vitit 2006 ka themeluar kompaninë ‘Event’, me kapitel 100 mijë lekë si dhe me objekt tregtim të artikujve të ndryshëm dhe peshkim selektiv. Shtatë vite më pas befas punësohet si inxhinier tek koncesionari i kolaudimit të makinave, duke kaluar nga peshkimi, makinat tek ndërtimi.
Monika Kryemadhi: Vëllai im është inxhinier i vërtetë
Në prill të vitit të kaluar, Monika Kryemadhi, deklaroi kur u publikuan të dhënë për pagën e Drini Kryemadhit gjatë një viti tek SGS. Në atë kohë, Kryemadhi tha se vëllai i saj ishte një inxhinier i vërtetë.“Drini Kryemadhi është inxhinier mekanik, i vërtetë, jo si injorantët që ke punësuar në administratë, si fuksa sigurimi. Drini Kryemadhi ka qenë një ndër inxhinierët, që ka bërë hartimin e Kodit të parë Rrugor për Republikën e Shqipërisë, në vitin 1998. Sot e 20 vjet më vonë, Shqipëria punon me të njëjtin Kod Rrugor të atyre ekspertëve të nderuar. Në punën që ti i përmend, ai është punësuar nga kompania Zviceriane, që ti e përzure për t’ja bërë gati një oligarku. Pagat e inxhinierëve janë të larta, pra ai ka marrë 303.709 lekë ose 2450 euro në muaj. Por, ti se logjikon dot vlerësimin e të aftit, sepse profesionistët e Shqipërisë i degdise rrugëve të Gjermanisë dhe të botës, e në vend të inxhinierëve mekanik ti merr inxhinier sufllaqesh. Më vjen mirë për Drinin. Si inxhinier që është, është shumë racional. Do fitoka dhe një shpërblim tjetër prej shpifjeve të tua dhe të Gonxhes. Komento pagën 10 milionë lekë në muaj të pensionistit, babit të Alqit, që merr te inceneratori. E di vetë ti”, shkruante Monika./Report tv
Diskutime rreth kësaj post