Ylvi Beqja biznesmeni që ka dëshmuar kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, përveç 550 mijë eurove të paguara kesh është detyruar që t’i falë Shullazit edhe 30 % të ish-hotel Vollgës.
Palët kanë rënë dakord që pasi prona të kalonte në emër të “Saudi Brothers”, Shullazi do të merrte 20% të pronës.
Por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se më pas Shullazi ka ndryshuar mendim, duke i kërkuar Beqajt 10 % më shumë nën kanosje dhe kërcënim.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se biznesmeni nën kërcënimin e armës është detyruar që ta nënshkruajë kontratën përpara noterit, duke i dhuruar në shenjë mirënjohje 30 % të ish-hotel Vollgës.
Gjithashtu në dosje sqarohet se përveç 5 të arrestuarve deri tani, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela janë në hetim dhe disa persona të tjerë.
Ylvi Beqja ka thënë para hetuesve se përveç të arrestuarve në momentet kur është kërcënuar kanë qenë dhe pjesëtarë të tjerë të grupit. Biznesmeni thotë në dëshmi se i ka paguar gjoba Shullazit rreth 550 mijë euro.
400 mijë prej tyre i ka tërhequr vetë duke ua dorëzuar po vetë kërcënuesve. Ndërsa pjesën tjetër e ka lëshuar me 3 çeqe, të marra nga Qyqja dhe Zela. /tvklan/
Diskutime rreth kësaj post