Presidenti i Republikës Ilir Meta bashkë me publikimin e pyetjeve jo sekrete të ngritura për Sandër Lleshajn ka bërë publike dhe një nga arsyet kushtetuese të mosdekretimit të tij që herën e parë. Në refuzimin e propozimit më 3 nëntor, Zyra e shtypit e Presidentit njoftoi se presidenti Meta nuk e ka krijuar bindjen për të dekretuar Lleshin si ministër të ri.
Ndërsa tani në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thotë se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi Sandër Lleshajt në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.
“Duke qenë se, kandidatura e z. Sandër Lleshaj, vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues, është autoritet civil, në zbatim të neneve 69, 103, 167/1, të Kushtetutës, emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese.
Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”, thuhet në letrën e Presidentit.
Më tej thuhet se “Megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të”.
Për të ilustruar këtë gjë, Meta sjell si shembull edhe faktin se në njoftimin e kryeministrit Sandër Lleshaj trajtohet me gradën ‘Gjeneral’.
“Për më tepër që në njoftimin fillestar të Kryeministrit në rrjetet sociale të datës 27 tetor 2018, por dhe në dalje të tij publike, z. Sandër Lleshaj propozohet për emërim si ministër i Brendshëm, duke e trajtuar atë me gradën “Gjeneral”.
Në këto kushte Presidenti i Republikës në zbatim të nenit 92/h, vlerëson të domosdoshme paraqitjen e një informacion shterues mbi pyetjet e parashtruara”.
Diskutime rreth kësaj post