Zbardhet dëshmia në polici e babait të 7-vjeçares, Jonada Avdia, e cila u humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga ish-komisari Arjan Tase.
Në dëshminë e dhënë, Bledar Avdia, ka rrëfyer tmerrin e përjetuar dhe momentet e fundit me të bijën.
Ai ka treguar se skafi erdhi në drejtim të tyre, teksa ai ishte duke u larë me vogëlushen.
“Ishte ora rreth 14:00 dhe pranë bregut të detit isha duke u larë me vajzën. Në ato momente pashë një skaf të bardhë, me dy veta brenda tij. Skafi parkoi në bregun e plazhit pranë një hoteli dhe pashë që zbriti një vajzë dhe më pas një grua me dy fëmijë hipën në skaf dhe drejtuesi i skafit kaloi litarin me piketa dhe ishte duke lundruar në drejtimin ku po lahesha me vajzën.
Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi të madhe dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe skafi goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e dëmtuar në të gjithë trupin. Skafi u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin në breg”, ka dëshmuar Bledar Avdia.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 2 Gusht në Himarë, në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit duke humbur kështu dhe jetën nga një skaf me drejtues ish-komisarin e Himarës Arjan Tase, teksa ajo po lahej në det me babain e saj.
E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është dëmtuar nga helikat, duke ndërruar jetë në vend.
Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.
Diskutime rreth kësaj post