Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e djeshme e ndodhur në kampin e MEK në Manzë.
Sinjalizimi i parë për aktivitetin e paligjshëm të anëtarëve të MEK në Manzë, ka ardhur nga partnerët e huaj.
Sipas Klan News, informacion shtesë ka patur edhe Drejtoria e Antiterrorit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ka patur dy çështje të ndryshme që po hetohen në një të vetme nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Mësohet se procedimi penal nga SPAK është regjistruar rreth dy muaj më parë, krahas hetimeve të tjera që ka kryer organi i akuzës për procedime të ngjashme, lidhur me sulmet kibernetike dhe aktet me qëllime terroriste.
Burime jo zyrtare konfirmojnë se procedimi mban nr 13/2023, i regjistruar për veprat penale “Provokimi i luftës”, “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, vepra penale këto, të cilat dyshohet se kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve, anëtarët e MEK, kanë patur veprimtari jo në dëm të shtetasve shqiptar por për vende të tjera. Dyshohet se anëtarët e MEK kanë tentuar të hakerojnë sistemet shtetërore të Iranit. Pajisjet e sekuestruara gjatë operacionit të të martës, do të dërgohen në laborator për tu ekzaminuar.
Nga të dhënat që do përftohen, varet edhe iniciativa e SPAK për urdhër arreste të mundshme. Informacioni për këtë çështje, për shkak të sensitivitetit po mbahet top sekret nga Prokuroria e Posaçme.
Diskutime rreth kësaj post