Presidenti Ilir Meta duket se ka marrë dje shuplakën e parë nga ndërkombëtarët. Pak minuta pas deklaratës se në 2 mars do të nisë protestat kundër qeverisë, në zyrën e tij ka shkuar ambasadorja amerikane Yuri Kim. Kjo e fundit duket qartë se i ka tërhequr veshin presidentit, ndërkohë që më pas është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha. Në fokus të takimeve ka qenë situata aktuale, por duket qartë se Yuri Kim i ka dhënë një mesazh të qartë presidentit.
Në deklaratën e bërë publike nga ambasada e SHBA në faqen zyrtare, Kim ka kërkuar nga udhëheqësit që të sillen në mënyrë të përgjegjshme, si dhe të shfaqin pjekuri dhe besim në proceset demokratike. Po ashtu, ambasadorja amerikane ka kërkuar që politikanët në vend të respektojnë institucionet shtetërore në vend, ku shprehu edhe një herë angazhimin e saj se do të vëzhgojë çdo lëvizje dhe do të japë kontributin e saj në stabilizimin e situatës. Por kohët e fundit presidenti Ilir Meta ka qenë në një luftë të ashpër me faktorin ndërkombëtar në vend si dhe është hedhur në sulme të forta në drejtim të institucioneve në vend, siç është Kuvendi apo organet e reja të drejtësisë. Pra duket qartë se mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim i ka drejtuar shigjetat drejt Ilir Metës, duke e paralajmëruar që të tërhiqet nga veprimet dhe thirrjet e papërgjegjshme.
“Sot u takova me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi. Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thuhet në mesazhin e Yuri Kim të shpërndarë nga ambasada amerikane.
Sulmet e Metës për ndërkombëtarët
Por presidenti Ilir Meta prej një kohe të gjatë ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në drejtim të faktorit ndërkombëtar të akredituar në vendin tonë. Pak ditë më parë, presidenti Meta i akuzoi ambasadorët se nuk i kanë sytë për të respektuar Kushtetutën, por tek xhepat e tyre.
“Më bëjnë nder të madh me gjithë këto shkelje që po më ngarkojnë, unë të gjitha veprimet i kam bërë para qytetarëve shqiptarë. Të gjithë e dinë sot se çfarë përfaqëson sot Kuvendi i Shqipërisë. Unë këtë Kushtetutë e kam bërë me ndërkombëtarët. Le të vijë një ndërkombëtar këtu e të më thotë se nuk e kemi bërë në këtë mënyrë. Cilët ndërkombëtarë? Ata që nuk i kanë sytë të Kushtetuta, por te xhepi i tyre. Ka ndërkombëtarë seriozë e me dinjitet. Ka ndërkombëtarë si zonja Glover, që i tha të vërtetën gjithë botës se si e çfarë ishin zgjedhjet farsë të 30 qershorit”, u shpreh Meta pak ditë më parë.
Diskutime rreth kësaj post