Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka dalë dje me thirrjen e fortë, ndërsa i ka shuar shpresat politikës për të kapur SPAK, pasi paralajmëroi se SHBA do monitorojmë nga afër zgjedhjen e pasuesit të Krajës. Nesër do të mësohet se kush do të jetë drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, teksa në garë për këtë post janë 3 prokurorë të posaçëm, si Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.
Por teksa lartë e poshtë ka zërë se politika dhe krimi ka nisur tentativat për të kapur Prokurorinë Speciale, ambasadorja Kim ka leshura dje një mesazh të drejtpërdrejt. Në disa postime rresht në rrjetet e saj sociale, ambasadorja Yuri Kim ka reaguar për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, duke lajmëruar se kishte takuar çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, aty ku edhe do intervistohen 3 kandidatët e SPAK dhe se sipas saj, Uashingtoni do monitorojë procesin. Madje, diplomatja amerikane theksoi se kreu i ri i SPAK duhet të luftojë korrupsionin e krimin pa u frikësuar dhe pa u ndikuar nga favoret.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili – pa frikë dhe favore – do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkruan në postimet e saj ambasadorja Kim.
Betimi i Ibrahimit si anëtar i GJK, Kim: Moment historik
Ndërkohë po dje ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me 9 anëtarë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja Yuri Kim thotë se ky është një moment historik për implementimin e Reformës në Drejtësi, teksa shton se tashmë hapi i radhës është plotësimi i Gjykatës së Lartë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Gjyqtari i 9 i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u betua. GjK arriti funksionalitetin në dhjetor 2020 me 7 gjyqtarë. Tani, për herë të parë që nga tetori i 2016, Gjykata Kushtetuese ka trupë të plotë. Ky është një moment kyç në zbatimin e reformës në drejtësi. Gur mbi gur… Ky ishte rezultati i bashkëpunimit midis institucioneve, përfshi Presidencën, Parlamentin, KED, Gjykatën e Lartë. Hapi tjetër: Presim plotësimin e trupës së GjL në fillim të vitit tjetër, që më shumë çështje të përpunohen në kohë. Urime dhe suksese”, nënvizoi ambasadorja Kim.
Genti Ibrahimi është gjyqtari i 9 i Gjykatës Kushtetuese. Ai u betua ditën e martë në një ceremoni në ambientet e Presidencës.
Çfarë ka ndodhur?
Prej kohësh, Yuri Kim zhvillon takime dhe lëshon mesazhe sesi duhet të jetë kreu i ri i SPAK. Reagimet e saj u pasuan nga një kronikë e “Zërit të Amerikës” që shpjegonte se ambasadorja amerikane ka një shqetësim se gara në SPAK mund të manipulohet nga praktikat e vjetra. Gara për kreun e ri të SPAK ka shumë pikëpyetje duke nisur me mungesën e interesit fillimisht të prokurorëve për të garuar e për të vijuar më pas me emrat që kanë hyrë në lojë për të zëvendësuar Arben Krajën. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Të tre janë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreut të ri të SPAK është tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje dhe zgjidhet me shumicën e votës së anëtarëve të KLP. Trupa e KLP do të dëgjojë platformat e tyre dhe më pas do të votojë. Kush merr shumicën, merr drejtimin e SPAK. Por koha është e kufizuar pasi mandati i Krajës mbaron më 19 dhjetor.
Diskutime rreth kësaj post