Në jetimoren e Shkodrës, prej mëse tre vitesh mungonte punonjësi social. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga Kreu i Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli. Ai thotë se Drejtoria e Inspektimit të qendrave shoqërore, në Inspektoriatin e Punës i ka rekomanduar disa herë Bashkisë së Shkodrës që të emërohej punonjësi social.
Ylli deklaron nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, se pas kërkesës së institucionit të drejtuar prej tij se reflektimi ka ardhur duke emëruar një punonjëse, që sërish nuk ka profilin e punonjëses sociale dhe kualifikimin e duhur për vendin e punës.
Sipas tij, edhe në disa qendra të tjera sociale që varen nga Bashkitë, duke filluar nga Tirana ka raste të mospërpuethshmërisë të vendit të punës, me arsimin përkatës.
Sipas Yllit, kur në një qendër të përkujdesit shoqëror, nuk ka fare punonjës social, apo më keq akoma kur vendin e punonjësit social, e zë një me diplomë të mesme përpunim druri, të tilla raste të abuzimit apo keqtrajtimit të fëmijëve, do të vazhdojnë të ndodhin. Kreu i Inspektoriatit të Punës i bën apel të gjithë autoriteteve përkatëse, që ti japin më shumë rëndësi rekomandimeve të përsëritura të Inspektoriatit të Punës, që skandale të tilla të mos ndodhin më.
Diskutime rreth kësaj post