Fabian Duro ka shkruar historinë duke realizuar një nga ëndrrat e tij. Xhongleri shqiptar me famë botërore ka dhënë një shfaqje spektakolare me numrat e tij paraditen e së hënës (dje) duke hipnotizuar yjet e Bajernit të Mynihut në “Zebener Shtrase 57”. Rekordmenët gjermanë e duartrokitën, e përqafuan dhe u befasuan nga mjeshtëria dhe arti i xhonglimeve të 28-vjeçarit nga Tirana, i cili ushtron pasionin e tij tri herë në javë në qendër të Mynihut.
Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Duro ka rrëfyer me detaje gjithçka mbi këtë eksperiencë. I qeshur, i lumtur, i surprizuar, ai të jepte përshtypjen sikur fliste në telefon nga qielli i shtatë. Është ky talent që e bën atë krenar dhe që po i hap dyert për të pasur sukses në të ardhmen
Përshëndetje, Fabian! Urime për performancën e jashtëzakonshme në qendrën stërvitore të Bajernit!
Faleminderit! Dua t’ju falënderoj edhe unë për promovimin që u bëni talenteve shqiptarë.
Si lindi ideja për të performuar para rekordmenëve gjermanë?
Unë kam performuar në shumë vende të Europës si në Londër dhe Pragë. Këto kohë kam qenë në Mynih dhe jap shfaqje këtu. Më duhej të merrja leje dhe ia arrita. Falë mbështetjes së kryebashkiakut dhe konform rregullave, më është lejuar të bëj shfaqje 3 herë në javë në qendër të Mynihut. Zëvendëstrajneri i Karlo Ançelotit, Paul Klement, më kishte parë dhe kishte postuar diçka në lidhje më performancat e mia në “Twitter”.
Për këtë u informova nga disa shokët e mi polakë, të cilët më kanë ndihmuar së tepërmi. Duke qenë pasionant i futbollit, kontaktova asistentit e Ançelotit, Paul Klement dhe ai u tregua i gatshëm. Më konfirmoi ftesën në datën 24 tetor, pra ditën e sotme (dje) ora 10:15 për të dhënë një shfaqje para lojtarëve dhe stafit të Bajernit në “Zebener Shtrase”. Kështu realizova këtë ëndërr.
U befasuat nga kjo ftesë?
U gëzova pa masë. Realizova një ëndërr. Nuk po më besohej.
Cilat ishin përshtypjet tuaja të para?
Bajerni ka një qendër stërvitore gjigante. U përpoqa të isha i saktë dhe të mos bëja gabime. Pra, t’i argëtoja sa më shumë lojtarët dhe stafin drejtues. Numrat i kreva me sukses dhe të gjithë më përgëzuan e më përqafuan. Përshtypjet e para ishin të jashtëzakonshme. U prita shumë mirë.
Me cilët lojtarë patët kontakte të drejtpërdrejta? Kush ju afroi më shumë?
Në fakt, të gjithë, por në veçanti Tiago, Myler, Alonso dhe Kimish. Më dhanë përshtypjen sikur i njihja prej kohësh. Më afruan shumë dhe shkëmbyem disa fjalë bashkë. Qëndrova afro 2 orë me ta.
I dhatë leksione xhonglimi ndonjërit prej tyre?
Po përpiqesha t’i tregoja disa detaje dhe sekrete Ksabi Alonsos. Me të fola gjatë. Por, ai nuk tregoi shumë interes duke u justifikuar se ata luajnë futboll dhe nuk bëjnë numra xhonglimesh. E shohin si fushë tjetër këtë lloj arti me topin.
Morët dhurata? Nëse po, cila ishte më e bukura?
Po. Mora shumë dhurata. Tiago Alkantara më dhuroi këpucët e tij të reja. Ndërsa Bajerni më dhuroi një komplet sportiv që nuk ka dalë ende në treg.
Përveç dhuratave, patët ndonjë suport financiar?
Të them të drejtën, jo. Për mua ishte një fitore e madhe të ndodhesha para tyre. Më mjaftuan dhuratat.
Po me trajnerin Ançeloti folët? Çfarë përshtypje ju la?
Asistenti Klement dhe trajneri Karlo Ançeloti më mbështetën jashtëzakonisht. Më përqafuan dhe më përgëzuan për këtë aftësi. Me Ançelotin fola gjatë dhe më pyeti se nga vija. Kur i thashë që vij nga Shqipëria, iu bë qejfi shumë. Më tha se kishte mik kryeministrin Edi Rama. Madje, i dërgoi edhe një mesazh për të më mbështetur mua në Shqipëri.
Ju premtoi ndonjë kontratë apo bashkëpunim tjetër në të ardhmen?
Kontratë jo, por më tha se do të bashkëpunojmë më tej. Një mundësi është që unë të jap shfaqje para 75 mijë spektatorëve në stadium gjatë pushimit të një ndeshjeje të Bajernit. Kjo do të ishte mrekulli. Po pres me padurim ftesën e radhës për të vijuar këtë bashkëpunim.
Nga informacionet tona kemi zbuluar se jeni tifoz i Çelsit. Është e vërtetë?
Po, shumë e vërtetë.
Pse me blutë e Londrës dhe jo me Bajernin?
Unë kam jetuar për disa vite në Londër. Kam takuar edhe lojtarë të Çelsit në atë kohë si Lampard. Çelsin e kam në zemër, por tani jam bërë tifoz edhe i Bajernit.
Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Ah, po! Është përhapur lajmi sikur jam krutan, por në të vërtetë jam 100 karat tirons.
Diskutime rreth kësaj post