Një vend i vogël si Shqipëria nuk e ka luksin për të pasur një qeveri të madhe me aq ministri siç ishte ajo e bashkëqeverisjes Rama-Meta me 19 ministra.
Për ekspertin Selami Xhepa, i cili ka qenë edhe propozuesi i parë nga bota akademike për reduktimin e ministrive, tani është koha e duhur që Kryeministri Rama me 74 mandate, të marrë këtë vendim.
“Shqipëria është një vend shumë i vogël, në fakt edhe vende të mëdha kanë një numër më të vogël ministrish. Ministritë nuk janë për të gjetur punë dhe për të bërë qoka politike. Ky është një rast ideal, sepse kjo parti, kjo forcë politike ka një mandat të plotë në Parlament për të krijuar një strukturë shumë eficiente sepse nuk ka nevojë për të bërë qoka midis forcave të tjera politike. Kemi një realitet politik të favorshëm dhe nuk ka arsye pse kjo të mos shfrytëzohet realisht për të krijuar një reformë të fortë të qeverisjes në të gjitha nivelet e piramidës së saj”
Xhepa argumenton se një qeveri e vogël jo vetëm shkurton shpenzimet e buxhetit të shtetit, por është edhe është më efektive.
“Një qeverisje e vogël është një qeverisje shumë e dobishme, jo thjesht si numër ministrish apo agjencish. Qeverisja e vogël nënkupton sa më pak kompetenca dhe më shumë kompetenca që i lejohen tregut dhe agjentëve të tjerë. Nga ana tjetër, një konsolidim i ministrive dhe i agjencive mendoj që jo vetëm e bën punën më efektive të vetë ministrive sepse krijon më shumë koordinim brenda departamenteve të një ministrie më shumë se sa koordinimin mes ministrive. Një konsolidim i ministrive do të ishte i dobishëm për të rritur efektifitetin e punës së qeverisë dhe nga ana tjetër sigurisht që redukton edhe kostot fikse që i rëndojnë buxhetit dhe kjo mund mund të çlirojë fonde për t’u përdorur për qëllime të tjera”.
Sipas Xhepës, zvogëlimi i qeverisë nuk duhet të kufizohet vetëm me ministritë, por duhet të shtrihet në të gjitha njësitë e administratës publike.
“Mbi të gjitha duhet që ky proces konsolidimi nuk duhet të jetë i kufizuar vetëm te ministritë, sepse pjesën më të madhe të funksioneve të shërbimeve publike që lidhen me qytetarin apo sektorin privat, biznesin i përkasin agjencive apo enteve të ndryshme rregullatore. Ky proces konsolidimi duhet të shkojë në të gjitha njësitë e administratës publike”.
Eksperti thekson se në Shqipëri vjon të mbetet problem krijimi i një administrate të rekrutuar në bazë të meritokracisë, që në fakt është edhe thelbi i qeverisjes.
Diskutime rreth kësaj post