“Kjo është gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare, që partitë politike paskan fuqi të zhbëjnë Gjykatën Kushtetuese”. Me këtë përkufizim, mazhoranca e refuzoi propozimin e kreut të opozitës për të ndryshuar me konsensus ligjin e “vetting”-ut në pikat që opozita e konsideron antikushtetues.
“Përfundimisht e bëri një kauzë në Gjykatën Kushtetuese, me të vetmin qëllim për ta penguar dhe shtyrë procesin në kohë, sepse ai nuk mund të ndalet. Sot kërkon atë që nuk mund të kërkojë një forcë politike serioze, kërkon që dy partitë politike t’i thonë Gjykatës Kushtetuese se ne vendosim, dhe ndërprit procesin kur ne biem dakord”, tha Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Fatmir Xhafaj ishte kundër pezullimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, por dozën e dyshimit ndaj saj e alternoi me shpresën te Komisioni i Venecias.
“Ne po presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes, apo qëndrimit që do të duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese, opinionin e Komisionit të Venecias. Kjo do të jetë edhe prova e fortë për Kushtetuesen dhe shpresoj që kjo gjykatë të ketë qenë serioze me pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias, duke treguar po aq seriozitet në respektimin e përgjigjeve që do të marrë nga ai komision”, u shpreh më tej Xhafaj.
Sipas axhendës së shpallur të Komisionit të Venecias, ky vendim do të merret në datën 10 dhjetor.
Diskutime rreth kësaj post