Greqia dhe Shqipëria vijojnë replikat në distancë për çështjen e Fredi Belerit. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një reagim në rrjetet sociale, thotë se çështja ndaj Fredi Belerit i takon drejtësisë shqiptare dhe nuk ka vullnet politik që e nxjerr nga burgu.
Ajo thekson se ndalimi i betimit i Fredi Belerit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës i përket drejtësisë së Shqipërisë, dhe nuk është çështje as e qeverisë shqiptare dhe as e asaj greke.
“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu:Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke. Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”.
Xhaçka iu përgjigj ministrit të Jashtëm të Greqisë me këtë deklaratë, i cili pas një mbledhje informale me ministrat e Jashtëm të BE-së, tha se çështja e Belerit në Shqipëri nuk ka të bëjë me gjyqësorin, por sipas tij është çështje e një vullneti politik.
Pyetje: E ngritët çështjen e Fredi Belerit? U diskutua për një çështje të tillë?
Ministri i Jashtëm grek: Çështja e Fredi Belerit, ndalimi i përkohshëm dhe i padrejtë që pengon betimin e tij si kryetar i Bashkisë së Himarës, tashmë është ngritur nga Ministria e Jashtme dhe nga unë në të gjitha format. Të gjithë ministrat e vendeve anëtare të BE, përfaqësuesi për Politikën e Jashtme të BE, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, janë informuar personalisht. Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian janë informuar.
Gjithashtu, bisedova kokë më kokë me eurokomisionerin për zgjerim Oliver Varhelyi, me të cilin ngritëm çështjen e Ballkanit Perëndimor. Greqia ka marrë iniciativën për të përshpejtuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes europiane. Greqia do të jetë gjithmonë ndihmë për këto vende sa i përket perspektivës së tyre europiane.
Për çështjen e z.Beleri, dua të thekson se pavarësisht nga çështja e krizës gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu është çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Qartazi kjo është shkelje e prezumimit të pafajësisë, e shtetit ligjor dhe të drejtave të qytetarëve himariotë që e votuan.
Dua të theksoj se veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga z.Beleri nuk ka të bëjë me gjyqësorin në Shqipëri, por është thjesht çështje e vullnetit politik nga ana e qeverisë shqiptare. Për këtë arsye Greqia do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi që z.Beleri të betohet si kryetar bashkie dhe të shprehet vullneti i banorëve të Himarës, siç ndodhi në zgjedhjet bashkiake të 14 Majit.
Fredi Beleri, i cili fitoi Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, ndodhet në paraburgim i akuzuar nga SPAK për blerje votash.
Diskutime rreth kësaj post