Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, një ditë pasi diplomati amerikan e kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për qasjen në dialogun. Pas takimit, Vuçiq tha se marrëdhëniet serbo-amerikane janë në rritje.
“Kam pasur një bisedë të hapur dhe miqësore me ambasadorin amerikan Anthony Godfrey, në ambientin më të bukur të Beogradit”, – shkroi Vuçiq në Instagram.
Ai e ka falenderuar SHBA-në për mbështetjen, siç tha ai, për bashkëpunimin e vendeve të rajonit.
“Faleminderit amerikanëve për mbështetjen e bashkëpunimit të vendeve në rajon dhe integrimin ekonomik, që do të thotë përparim, si për Serbinë ashtu edhe për të gjithë të tjerët në mjedisin tonë”, – tha Vuçiq.
Godfrey dje në një intervistë ka folur për dialogun Kosovë – Serbi. Ai tha se palët nuk mund të vijnë në tavolinën e bisedimeve me kërkesa e të mos kenë gatishmëri për kompromis, duke konsistuar kështu në katër pikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të parashtruar në Bruksel ndaj palës serbe.
“Pajtohemi të gjithë se duhet të ketë dialog produktiv mes Prishtinës e Beogradit dhe se nuk mund të vihet në tryezë me kërkesa e të mos ketë gatishmëri për kompromis. Çdo marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës do të kërkojë kompromis nga dyja palët dhe duhet të ketë gatishmëri të dyanshme për të biseduar. SHBA-ja mbështet dialogun e ndihmuar nga Bashkimi Evropian. Presim që të ec në drejtimin që Beogradi dhe Prishtina të bëjnë përparim në rrugën drejt BE-së”, – ka thënë Godfrey për “021.rs”.
Lidhur me projektin e “Ballkanit të Hapur”, ambasadori amerikan tha se kjo nismë shkon në dobi të rajonit.
“Jam i kënaqur që kam parë kohët e fundit hapa tutje drejt integrimit më të madh ekonomik rajonal, për t’iu treguar njerëzve se bashkëpunimi në rajon është për të mirën tyre, se e ardhmja e tyre është më e ndritur”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post