Presidenti i Serbisë ka thënë se armatimi i Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Aleksandar Vuçiqi këto kritika i drejtoi ndaj shtetit të Turqisë, vend nga i cili FSK-ja ka blerë 14 automjete të blinduara ushtarake me pajisje të armatimit.
Ai tha se dihet botërisht që “krejt çka bën Prishtina është në kundërshtim me Rezolutën 1244”.
“Do t’u themi partnerëve tanë në Turqi për gjithçka që u kanë dhënë atyre”, – u shpreh presidenti serb.
Sipas tij, “ushtria e tyre dhe jona, por nuk kemi nevojë të krahasohemi, sepse ne duam të ruajmë paqen, nuk janë të së njëjtës kategori. Kjo nuk është kohë e të ’90-tave, ky është qielli dhe toka”, tha Vuçiqi, duke shtuar se “e ashtuquajtura ushtri e Kosovës nuk do të jetë e nevojshme”.
“Për ne është e rëndësishme të kemi raporte të mira me KFOR-in”, – përfundoi Vuçiqi.
Kohë më parë ish-komandanti i Forcave të Armatosura të Kosovës, Kadri Kastrati, tha se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj për të mbrojtur kufijtë.
Kastrati në një deklaratë theksoi se prokurimi i automjeteve të blinduara nga Turqia për nevojat e FSK-së paraqet një modernizim dhe transformim gjithëpërfshirës ushtarak të Ushtrisë së Kosovës.
Kosova ka nënshkruar kontratën me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje të armatimit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime zyrtare brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Edhe agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” ka njoftuar se eksporti i parë i makinave turke të blinduara të tipit “Vuran”, të prodhuara në bashkëpunim me firmat e mbrojtjes në Turqi, do të arrijnë në Kosovë.
Sipas burimeve brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK-ja ka kontraktuar blerjen e katër automjeteve të tipit “Vuran” me tërheqje 4×4, ndërkaq që dhjetë të tjerat janë të së njëjtës kompani, por të tipit KIRPI, të pajisura me armatime.
“Të gjitha këto automjete të blinduara janë pajisje shumëfunksionale. Një pjesë e tyre pritet të arrijnë në Kosovë në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë burimi nga FSK-ja.
Sipas informacioneve që ka siguruar agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu”, Kosova do të jetë shteti i parë i huaj që do t’i përdorë këto automjete të blinduara me tërheqje të tipit 4×4.
Diskutime rreth kësaj post