Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qëndruar i heshtur karshi zhvillimeve të fundit në SHBA.
Ai nuk ka deklaruar ende asgjë lidhur me fitoren e Joe Biden, ndonëse diplomatët botërorë tashmë ia kanë uruar fitoren presidenciale kandidatit demokrat, shkruan Gazeta Express.
Revista franceze. “Courrier international” ditë më parë, erdhi në përfundimin se serbëve do u konvenonte rizgjedhja e kandidatit republikan, Donald Trump, si president.
“Rizgjedhja e Trump është në interesin e serbëve. Ai nuk ka nisur asnjë luftë, ai ka tronditur NATO-n, ai po tërheq ushtarët nga Gjermania dhe caktoi Richard Grenellin si emisar për dialogun serbi Kosovë”, citonte revista franceze një intervistë që i ka dhënë gazetës serbe “Politika”, Olga Ravesi, liderja e diasporës serbe pro Trump në SHBA.
“Fitorja e Republikanëve dhe e Trump është më e mirë për Serbinë sepse ai nuk e quan dosjen e Kosovës një çështje të mbyllur” thoshte për Blic, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.
“Rënia e marrëveshjes ekonomike më 4 shtator në Uashington e ka bërë presidentin serb Aleksandar Vuçiç që të marrë anë për rizgjedhjen e Trump dhe të shprehet i zhgënjyer me fushatën që po zhvillohet kundër tij në SHBA”, shkruante Courrier International.
Ndryshe nga Vuçiq, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar fitoren e Bidenit, duke thënë se ky i fundit e ka mbështetur Kosovën e lirë.
“Për dekada, Joe Biden ishte zëri i njerëzve të diskriminuar në të gjithë globin. Për ne, ai është mik i përkushtuar dhe një mbështetës i madh i Kosovës së lirë dhe të pavarur. Unë shoh një bashkëpunim të ngushtë me të dhe administratën e tij, në forcimin e marrëdhënieve tona të veçanta dhe aleancës strategjike”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Twitter.
Sidoqoftë, Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.
Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.
Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.
Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë.
Diskutime rreth kësaj post