Një gazetë kroate raportoi se një dëshmitar në një gjyq u shpreh se Aleksandër Vuçiç e kërcënoi me vdekje gjatë luftës në Kroaci në 1991-shin, pretendim ky të cili presidenti serb e mohoi me forcë.
Sipas BIRN, Vuçiç tha për mediat në Beograd se ka qenë në Kroaci disa herë në vitet 1970 dhe 1980 si fëmijë dhe adoleshent, por jo në vitin 1991.
“Nuk kam qenë në atë vend gjatë luftës deri në fundin e vitit 1994 ose 1995, kur shkova si zyrtar i partisë Radikale serbe, SRS dhe isha për fushatë në Krajinën e kontrolluar nga rebelët serbë”, u shpreh ai.
“Nuk kam qenë asnjë ditë të jetës sime në Petrinjë” vendi ku ishte kapur dëshmitari që shkaktoi skandalin e radhës për kreun e shtetit serb, dhe mbahej si i burgosur lufte. Gazeta kroate Vecernji List përcolli dëshminë e personit të identifikuar si Kosta D. , i cili tha në një gjyq për krime lufte në Zagreb se Vuçiç ishte i pranishëm kur u kap në shtator 1991 dhe e kërcënoi se do ta vriste.
“ Më kujtohet si tani kur erdhi presidenti aktual i Serbisë, Vucic, dhe më tha se si serb, kisha tradhëtuar të gjithë popullin serb dhe do të më therte”, citohet të ketë thënë dëshmitari, i cili po fliste në gjyqin e ish-luftëtarëve serbë Dushan Jovic, Milo Paspalj, Vlado Cupovic dhe Marko Vrcelj, për krime lufte kundër civilëve dhe robërve të luftës në vitin 1991 në zonën e Glinës, ku ndodhet Petrinja . Të gjithë ata, po gjykohen në mungesë.
Diskutime rreth kësaj post