Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.
“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë presidenti serb për Televizionin Pink në Beograd.
Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.
Kosova dhe Serbia, kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Sipas Vuçiqit, Forca e Sigurisë së Kosovës është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke.
Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.
Ai ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.
I pyetur për qasjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt Serbisë, Vuçiq ka thënë se “amerikanët nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Serbisë, sikurse në vitet 90’”, por qasja është “shumë më e mirë”.
“Ata vetëm se e kanë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës”, ka thënë Vuçiq, dhe ka shtuar se duhet pasur shumë kujdes “çfarë do të thonë Perëndimi dhe Lindja”.
Vuçiq ka thënë të dielën se duhet të takohet me serbët nga veriu i Kosovës, ku tensionet janë rritur prej fundit të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e prillit në veri, e ka kundërshtuar hyrjen e kryetarëve nëpër ndërtesa komunale, dhe ka mbajtur protesta para objekteve
Perëndimi ka kërkuar vazhdimisht nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të kthehen në tavolinën e negocimit për të avancuar drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Diskutime rreth kësaj post