Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se plani i tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka dështuar dhe se fqinji jugor do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin e tij në tërë territorin. Në një intervistë për televizionin serb “Pink”, Vuçiç ka akuzuar për hipokrizi ata që e sulmuan për planin e tij dhe që tani thonë se nuk e dinin cili ishte përmbajtja e tij.
“Tani ju pyes juve, cila është zgjidhja përveç faktit që Kosova në të ardhmen, jo me vullnetin tim sepse unë nuk do ta pranoj, do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj?”, ka thënë Vuçiç.
Ai ka theksuar se kjo nuk i sjell atij ndonjë lehtësim moral dhe nuk e bën të ndihet mirë për faktin se, siç ka thënë, ia kushtoi gjithë jetën politike gjetjes së një zgjidhjeje serioze të çështjes së Kosovës.
Më tej, ai u ka drejtuar një pyetje rivalëve të tij politikë: “Përse keni protestuar dhe si është e mundur që nuk keni qenë në gjendje të shihni realitetin dhe keni penguar që Serbia të fitojë diçka për popullin dhe vendin?”, është shprehur Vuçiç.
Presidenti serb ka theksuar se për Kosovën u organizua një dialog i brendshëm, proces gjatë të cilit shumë pjesëmarrës propozuan ndarjen dhe bënë propozime të tjera, me përjashtim të opozitës, që sipas tij nuk tha asgjë.
“Ju e shihni se çfarë hipokrizie e përgjithshme ekziston. Thoni se nuk e keni dëgjuar se çfarë përmban ai propozim. Pajtohem që nuk keni dëgjuar, por përse atëherë e keni sulmuar? Më keni prerë kokën, në mënyrë metaforike, por nuk keni dëgjuar as çfarë është. Pse atëherë sulmuat dhe shkatërruat çdo gjë, pa dashur as të dëgjoni?”, ka shtuar Vuçiç./ABC News/
Diskutime rreth kësaj post