Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “pret shumë telashe dhe probleme në Kosovë”, por nuk specifikoi më shumë.
Vuçiç i bëri komentet në shënimin e Festës së Vidovdanit në Beograd.
“Nuk e di se si do të shkojë me Kosovën. Ata përpiqen ta thyejnë dhe shkatërrojnë vendin tonë nga brenda”, tha Vuçiq në një tubim të organizuar nga Partia Përparimtare Serbe, në krye të së cilës ka qenë deri vonë.
Vidovdani është një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Patriarku serb, Porfirije, mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në Graçanicë të Kosovës.
Ai tha se u bën thirrje të gjithëve që “të kontribuojnë për paqen në Kosovë”, ndërsa nga serbët e Kosovës kërkoi që “me shembullin e tyre, t’u japin mësim të gjithëve”
Në pjesën veriore të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, tensionet janë të larta qysh në fund të majit.
Serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.
Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.
Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.
Vidovdanin, serbët tradicionalisht e shënojnë në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.
Por, këtë vit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se më 28 qershor – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë – përkujtimet për Vidovdanin do të mbahen në Manastirin e Graçanicës, dhe jo në Gazimestan.
Diskutime rreth kësaj post