Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator. Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dje dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku vdiq nga plagët e marra në sulm.
Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Të dielën, Vuçiçi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”. Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.
Diskutime rreth kësaj post