Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, shpalli të mërkurën edhe zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në tre vjet e gjysmë në Serbi.
Duke nënshkruar vendimin për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, presidenti serb tha se “po jetojmë në kohë të vështira për mbarë botën, në kohën e sfidave globale, luftërave dhe konflikteve, në kohën kur është e nevojshme që të gjithë të jemi të bashkuar në luftën për ruajtjen e interesave jetike kombëtare dhe shtetërore të Republikës së Serbisë, një kohë kur do të përballemi me presione të shumta për shkak të marrëdhënieve me Kosovën dhe çështje të tjera rajonale dhe botërore”.
Pushteti në Serbi është përballur me trysni në rritje nga opozita pas dy sulmeve masive në pranverën e këtij viti që lanë pas vetes 17 të vrarë, duke nxitur zemërimin e publikut dhe protesta masive kundër qeverisë.
Shpallja e zgjedhjeve të reja, ndodhë në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator. Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Me 27 tetor, udhëheqësit e vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë i kërkuan Kosovës më shumë autonomi për pakicën serbe, ndërsa Serbisë njohjen “de fakto” të pavarësisë së Kosovës. Kërkesat janë pjesë e përpjekjeve të ripëtërira për të nxitur përmbushjen e një marrëveshjeje të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
Vëzhguesit tërheqin vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare serbe në këtë periudhë mund të zvarris zbatimin e marrëveshjes që edhe ashtu është vonuar.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja palët që të përparojnë drejt integrimeve evropiane. Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur anëtarësimin në BE si synim të saj, por vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Diskutime rreth kësaj post