Policia jep detaje mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 19:10 në Dibër ky dy efektivë policie janë përplasur me armë. Mësohet se autori është Naim Muliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë Ndihmës-Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.
Duke u kthyer së bashku me mjetin e policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi ai është konfliktuar me Ardian Roçin, specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër). 55-vjeçari ka përdorur armën e punës në konflikt.
Fillimisht i plagosuri u dërgua në Spitalin e Peshkopisë. Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes u nis për ta përcjellë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar, por ai ndërroi jetë 1 orë më pas.
Autori i dyshuar është arrestuar. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Në drejtim të Dibrës është nisur menjëherë Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh.
Diskutime rreth kësaj post