Dy vjet më parë ai rrëfeu me detaje planet se si kishte kryer vrasje me pagesë duke vendosur në pozita të lehta prokurorinë për të deklaruar se kishte zbuluar një grup kriminal që kishte kryer të paktën 15 vepra penale.
Por nuk ka kaluar shumë kohë dhe në procesin me dyer të mbyllura i mborjturi i drejtësisë Julian Sinanaj po i mohon ngjarjet njëra pas tjetrës.
Megjithëse është i ulur në bankën e të akuzuarit dhe me statusin e të penduarit, Sinanaj i tha Gjykatës së Krimeve të Rënda se nuk është i implikuar në shpërthimin e kryer në banesën e deputetit Ardian Kollozi, as në vrasjen e biznesmenit Agron Çela dhe as në ngjarjen e dyshuar të jetë porositur nga shtetasi Marion Mitro për të kryer një shpërthim në automjetin e ish-prefektit Besnik Dervishaj.
“I pranova këto tre ngjarje për shkak se policia më detyroi, por nuk kam fare dijeni se kush është autori i tyre”, ka deklaruar Sinanaj, i cili u denoncua nga bashkëpunëtori i tij Ndriçim Gjokona teksa po përgatiste një tjetër atentat me lëndë plasëse.
Prokuroria thotë se 33-vjeçari, përpos veprave me qëllime terroriste dhe vrasjes me paramendim, kishte siguruar mjetet për të vrarë biznesmenin Pirro Bare pasi ishte paguar nga shtetasi Ilir Karçini, i cili ndodhet nën gjykim së bashku me pesë të tjerë.
Deri më tani, i dyshuari si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj, ka pranuar vrasjen e shtetasit Sokol Veizaj, një atentat i paguar sipas tij nga kushërinjtë Denis dhe Andon Mëhillaj, të cilët besohet të kishin patur me viktimën një konflikt pronësie.
Por prokuroria këmbëngul se Sinanaj, sipas deklaratës së tij të dhënë në polici, është paguar 20 mijë euro nga Marjon Mitro për të instaluar bombën me telekomandë në automjetin e ish-prefektit të Vlorës, Dervishaj; 35 mijë euro për vrasjen e Agron Çelës nga kushërinjtë Mëhillaj dhe 150 mijë euro për vrasjen e Bares.
Ky proces, që numëron 47 seanca, ka mbi një vit që i ka mbyllur dyert me urdhër të gjykatës, menjëherë sapo Julian Sinanaj filloi të flasë edhe për ngjarje të tjera për të cilat ai është shfaqur kontradiktor nga njëri proces në tjetrin.
Diskutime rreth kësaj post