Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka vizituar njërin nga policët që mbeti i plagosur në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.
Kurti shprehet se Alban Rashiti, i cili u plagos bashkë me një tjetër ndodhet në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së në gjendje të mirë shëndetësore.
Kreu i qeverisë bëri me dije gjithashtu se nga ora 10:00, do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.Tani në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Diskutime rreth kësaj post