Një ditë pas krimit të dyfishtë të ndodhur në familjen Curri, policia e Durrësit ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi banorët e këtij qyteti dhe jo vetëm. Burime zyrtare nga grupi hetimor dje bënë me dije se 80-vjeçarja Hurme Curri është vrarë në gjumë mesnatën e së hënës. Mësohet se rreth orës 00:00, e moshuara është qëlluar 5 herë me kallashnikov nga nipi i saj 23-vjeçar Irsid Curri, dhe më pas ky i fundit ka vrarë dhe veten me plumb në gojë. Vetëm 12 orë pas ngjarjes, të afërmit dhe policia kanë gjetur brenda në banesë dy trupat e pajetë. Pas kryerjes së hetimeve dhe ekspertizës, hetuesit e çështjes deklaruan se bëhet fjalë për vrasje dhe vetëvrasje, me autor të riun Irsid Curri. Po të njëjtat burime sqaruan se 23-vjeçari e ka kryer krimin në kushtet e një depresioni të thellë mendor. Pasditen e djeshme, gjyshe dhe nip janë përcjellë në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë qindra banorë të qytetit bregdetar. Ndërkohë që në varrim nuk kanë qenë të pranishëm nëna dhe dy vëllezërit e Irsid Currit. Burime të besueshme pohuan dje për “GSH”, se ata nuk kanë mundur që t’i japin lamtumirën e fundit Irsidit, pasi ndodhen në Gjermani, ku dhe kanë marrë azil.
HETIMET
Policia dhe prokuroria e Durrësit kanë dalë në një përfundim zyrtar në lidhje me krimin në familjen Curri. Në dosje citohet se e moshuara është vrarë nga nipi dhe se ky i fundit ka kryer vetëvrasje, duke hequr çdo dyshim se Hurme dhe Irsid Curri mund të jenë vrarë nga persona të tjerë. Hetuesit e çështjes pohuan se nga hetimet e kryera rezulton se në banesën dykatëshe të së moshuarës (ndodhet në lagjen nr.9 të Durrësit) nuk ka hyrë asnjë person tjetër dhe se dyert ishin mbyllur nga 23-vjeçari. “Provat e mbledhura në vendin e ngjarjes si dhe ekspertiza vërtetojnë katërcipërisht faktin se kemi të bëjmë me krim brenda familjes”, thanë burimet policore. Menjëherë pas krimit të dyfishtë, 8 familjarë e të afërm të familjes Curri u morën në pyetje nga blutë. Edhe dëshmitë e dhëna prej tyre kanë konfirmuar faktin se 23-vjeçari ka bërë vrasje dhe vetëvrasje në kushtet e një depresioni të thellë, i cili ishte kthyer disa muaj më parë nga autoritetet gjermane.
VARRIMI
Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, të afërm, miq dhe të njohur të familjes Curri kanë përcjellë në banesën e fundit Hurme dhe Irsid Currin. Gjyshe dhe nip janë varrosur pranë 4 familjarëve të tyre që janë vrarë vite më parë. Mësohet se ceremonia e varrimit është bërë nga djali dhe vajzat e 80-vjeçares. Ndërsa, në lamtumirën e fundit nuk kanë qenë të pranishëm nëna dhe dy vëllezërit e 23-vjeçarit Irsid Curri.
Diskutime rreth kësaj post